Kuvendi vendos sot për raundin e tretë të zgjedhjes së Presidentit
Mazhoranca mbështet propozimin që votimi të kryhet nesër, ndërsa opozita konteston sërish, duke tentuar zgjatjen e procesit përtej limiteve të lejuara
Kuvendi do të vendosë sot gjatë seancës plenar, nëse raundi i tretë i votimit për presidentin e ri do të zhvillohet nesër siç edhe është diskutuar në konferencën e Kryetarëve, apo në datat e propozuara nga opozita, 10 ose 11 qershor. Pas mbylljes pa rezultat të raundit të dytë të votimit më 4 qershor në Kuvend, Konferenca e Kryetarëve u mblodh për të caktuar datën e raundit të tretë për zgjedhjen e Kreut të shtetit.
Shumica e anëtarëve në konferencë mbështetën propozimin që raundi i tretë të zhvillohet të premten, më 8 qershor. Por, ky propozim nuk u mbështet nga anëtarët e opozitës, të cilët propozuan dy data të tjera për këtë raund, ditën e diel, më 10 qershor, ora 10:00 ose ditën e hënë, më datë 11 qershor.
Për mungesë konsensusi, Konferenca vendosi që zgjedhja e njërit prej këtyre propozimeve të bëhet sipas Rregullores së Kuvendit, në seancën e sotme plenare.
Kuvendi ka konsumuar deri tani dy, nga pesë raundet e votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, ndërkohë që në konkurrimin për garën presidenciale nuk është paraqitur asnjë kandidat zyrtar. Në nisje të garës presidenciale në Kuvend më 30 maj, mazhoranca propozoi kandidaturën e gjyqtarit, Xhezair Zaganjori ndërsa u kundërshtua nga Partia Socialiste, e cila përkundrejt gjithçkaje, luajti rolin e bllokimit, duke mos u bërë pjesë e procesit me kandidatë të saj. Kandidatura e propozuar me konsensus nga tryeza e mazhorancës, nuk shërbeu si indice apo katalizator për të vënë në lëvizje Partinë Socialiste dhe aleatët e saj në opozitë.