E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qëndrimet e PS janë të papranueshme, mazhoranca s’tërhiqet nga kandidati i saj”

07-06-2012 / Gazeta 55

Deklaron sekretari për çështjet ligjore në LSI, Ylli Manjani

“PS nuk kërkon të hyjë në garë, por kërkon të vërë në pozitë mazhorancën”. Kështu u shpreh dje sekretari për çështjet ligjore në LSI, Ylli Manjani duke komentuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës. Përfaqësuesi i mazhorancës tha se kandidatura e Xhezair Zaganjorit, e propozuar nga shumica parlamentare i plotëson kushtet për të qenë president i ardhshëm i vendit, aq më tepër në kushtet kur PS, heziton të bëhet pjesë e procesit. Gjithashtu, Ylli Manjani theksoi se edhe në raundin e katërt mazhoranca do të dalë me kandidaturën e Zaganjorit. “Kandidati i mazhorancës, Xhezair Zaganjori i plotëson kushtet për të qenë presidenti i ardhshëm i vendit. Unë mendoj se ky kandidat i ka mundësitë të jetë në garë edhe në raundin e katërt. Por, ftohet edhe pala tjetër që të shtojë në këtë proces, emrat e saj, të cilët ajo mendon se janë më të pranueshme, bazuar në kriteret e caktuara dhe krejt papritur na shfaqet kërkesa që duhet zhvilluar me patjetër takimi mes Ramës dhe Berishës. Mund të them se PS ka të paktën 50 emra që mund të shërbejë si kandidatë për presidentin”, u shpreh Manjani.
Ai theksoi se objektivi i opozitës nuk është zgjedhja e presidentit, por zvarritja e procesit, me qëllim që pas zgjedhjes së kreut të shtetit me 71 vota, të rifillojë reprezaljen politike kundër mazhorancës. “Dy raundet e para u ezauruan për shkak të mungesës së konsensusit nga opozita. Raundi i tretë kërkon përsëri 84 vota. Në raundin e katërt, PS ka si qëllim që, sërish të mos e votojë presidentin. Njëra alternativë për PS-në është që, vendi të kalojë në zgjedhje të parakohshme. Dhe e dyta, një president me 71 vota do i shërbente PS-së për ri-tensionimin e situatës politike. Pra, këto janë objektivat e mbrapshtë të PS-së. Por, unë nuk shoh asnjë arsye për zgjedhje të parakohshme”, tha më tej Manjani.
Ai deklaroi gjithashtu se LSI do mbështeste çdo marrëveshje mes PD-së dhe PS-së që do t’i jepte zgjidhje gjetjes së konsensusit. “LSI ka menduar dhe mendon se PS ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces. Por, sigurisht që nuk mundet që, nga ana tjetër të sillet në mënyrë të papranueshme. Në kushtet e një ndarje shumë të thellë politike, për shkak të klimës refraktare të Partisë Socialiste, LSI vlerëson se, nëse dy partitë e mëdha vendosin të zgjidhin çështjen e “Presidentit”, LSI është plotësisht e lumtur. S’ka qenë kurrë në qëllimet e LSI, të ketë presidentin të saj. Qëllimi ynë ka qenë një proces bashkëpunimi mes PD-së dhe PS-së, që të qetësohet klima politike dhe ajo e mosbesimit”, vijoi Ylli Manjani.
Lidhur me kandidaturën e vetëshpallur të liderit historik të së majtës, Fatos Nano Manjani tha se ish kryeministri është problem i vetë selisë rozë. “Kam deklaruar gjithnjë se PS ka nevojë për kontributin e Nanos. Fatos Nano do ishte një kontribut i rëndësishëm për marrjen e drejtimit të PS dhe rikthimin e saj aty ku i takon”, tha ndër të tjera ai. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›