E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reforma në gjyqësor, me rëndësi për statusin kandidat”

07-06-2012 / Gazeta 55

Halimi – Sequi

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi ka ripërsëritur se “reforma në gjyqësor” është e rëndësishme për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë për në Bashkimin Europian.
Duke folur në konferencën për Gjykatën e Lartë, ambasadori Sequi ka theksuar se procesi i reformimit të sistemit të drejtësisë është i nevojshëm ndërsa e cilësoi si shumë të rëndësishëm rolin e institucioneve të drejtësisë në këtë proces.
Ai vuri në dukje se, “Bashkimi Europian ka dhënë një kontribut financiar për reformën në drejtësi ndërsa ka ripërsëritur sërish mbështetjen e BE-së për këtë proces”.
Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi theksoi se janë marrë masa të forta për rikthimin e besimit të publikut tek drejtësia ndërsa shtoi se është me rëndësi thelbësore transparenca e gjyqësorit për mediat dhe publikun. Ndërsa i është referuar emërimit të gjykatësve, Halimi theksoi se ai duhet të jetë transparent dhe të bëhet sipas meritës duke shtuar se Gjykata e Lartë ka nevojë për individë me integritet dhe të paanshëm.
Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj u shpreh se ligji për gjykatën e lartë ka nevojë për ndryshime, të cilat janë reflektuar në një draft paraprak.
Sipas saj një nga ndryshimet e pritshme, është shtimi i numrit të gjyqtarëve të gjykatës së lartë dhe krijimi i një kolegji të ri administrativ.
“Një pikë tjetër që pritet të ndryshojë, është vazhdimi në detyrë, pas mbarimit të mandatit, deri në emërimin e gjyqtarit pasardhës. Kjo, me qëllim evitimin e mosformimit të trupave gjyqësore. Gjithashtu një tjetër pikë që përmban drafti i ri është përcaktimi i kritereve më të detajuara lidhur me emërimin e gjyqtarëve të kësaj gjykate, me qëllim tërheqjen nga radhët e gjyqësorit, apo jashtë tij, të gjyqtarëve apo juristëve të cilët kanë një karrierë apo përvojë profesionale më të gjatë”, shtoi ajo.
Sipas zonjës Beçaj, drafti parashikon edhe riemërim të anëtarëve të Gjykatës së Lartë pas përfundimit të mandatit të tyre, si dhe rritje page të anëtarit të Gjykatës së Lartë, në përputhje me pozitën që ai zë në piramidën shtetërore, duke marrë për bazë statusin dhe funksionin e lartë shtetëror që ata gëzojnë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›