Parlamenti Evropian: Shqipëria një partner i besueshëm, politika e saj e jashtme, në përputhje të plotë me atë të BE

Politika e jashtme e Shqipërisë është në përputhje të ngushtë me atë të Bashkimit Evropian duke e bërë atë një partnere të besueshme. Kështu tha delegacioni i Parlamentit Europian në një deklaratë të përbashkët pas vizitës që kryen në Shqipëri, të kryesuar nga David McAllister.
Eurodeputetët thonë se Shqipëria duhet të avancojë në reformat e lidhura me BE-në, duke i dhënë përparësi dialogut politik konstruktiv, demokratizimit, sundimit të ligjit, lirinë e medias dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Shqipëria dhe Mali i Zi vlerësuan anëtarët e familjes evropiane, me kontributin e tyre të fortë në sigurinë evropiane. Falënderojmë të dy vendet për angazhimin e tyre të palëkundur ndaj integrimit euroatlantik dhe shtrirjes së qëndrueshme të politikës së jashtme, duke përfshirë sanksionet përballë luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, nënvizojnë eurodeputetët.
Delegacioni i Parlamentit Europian i bën thirrje Shqipërisë të përqendrohet në forcimin e reformave të vazhdueshme gjyqësore, të shtetit të së drejtës, zgjedhore dhe të tjera për të mirën e qytetarëve të tyre.
“Dialogu politik konstruktiv, respektimi i normave politike demokratike dhe përpjekjet kundër korrupsionit janë thelbësore për avancimin drejt anëtarësimit në BE” thonë eurodeputetët, duke dënuar “rastet e retorikës përçarëse, gjuhës së urrejtjes dhe ndërhyrjes politike në gjyqësor dhe media”.
“Ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi kanë demonstruar vendosmërinë e tyre për të zbatuar reformat në lidhje me BE-në, unitetin kombëtar, angazhimin konstruktiv midis qeverive dhe opozitës në një proces të rregullt parlamentar, zgjedhjet konkurruese dhe konsultimet publike kuptimplota janë të nevojshme për të avancuar në integrimin në BE”, tha McAllister.
Eurodeputetët përsëritën se ata mbështesin me vendosmëri bisedimet e pranimit të Shqipërisë në BE. Nga 23 maji deri më 26 maj, eurodeputetët të kryesuar nga David McAllister takuan shoqërinë civile dhe politikëbërësit në Shqipëri. McAllister tha se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për integrimin, por gjuha e urrejtjes dhe retorika përçarëse ndërmjet palëve politike në vend mund të pengojë këtë proces.
/rtsh.al/