E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata shtetërore, me numra të njëjtë celulari

Kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri, "Eagle Mobile", është përzgjedhur si operatori që do të ofrojë shërbimet e tij celulare për punonjësit e administratës publike. Përzgjedhja është bërë pas një gare të organizuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, nëpërmjet një komisioni të vlerësimit të ofertave që u shpallën nga operatorët celularë. Gara u zhvillua më datën 12 janar 2009 dhe "Eagle Mobile" propozoi ofertën më të mirë dhe më ekonomike për institucionet. MPPTT, me një vendim të datës 20 janar 2009, vendosi t‘i japë të drejtën kompanisë "Eagle Mobile" të ofrojë shërbimet e saj për punonjësit e 8 institucioneve shtetërore të rangut ministror. Më se 60 mijë punonjës të administratës do të kenë mundësinë të përdorin shërbimet më të reja që "Eagle Mobile" ka sjellë në tregun shqiptar të telekomunikacionit. Në një kohë rekord, së bashku me kryerjen e mbulimit dhe dhënien e shërbimeve, "Eagle Mobile" ka shënuar tashmë 300 mijë abonentë në të gjithë vendin. "Puna e ‘Eagle Mobile‘ në këta muaj ka treguar fuqinë dhe seriozitetin e kësaj kompanie. Falënderojmë institucionet dhe qytetarët që na besuan dhe që përzgjodhën të jenë pjesëtarë të familjes sonë", tha drejtori i Përgjithshëm i "Eagle Mobile", Ali Taskin, në një deklaratë për mediat. Punonjësit e administratës publike mund të marrin edhe deri në 2 numra të tjerë për familjarët e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›