E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-studentët e Gazetarisë refuzojnë diplomat

Ish-studentët e ciklit të parë të Gazetarisë kanë refuzuar që të marrin diplomat e dhëna nga ky departament i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Ata protestuan sërish dje përpara korpusit qendror të Universitetit të Tiranës, ndërsa gjetën edhe mbështetjen e Unionit të Gazetarëve. "Ne studentët e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë jemi të indinjuar në lidhje me përmbajtjen dhe formën diplomës që është vendosur nga Ministria e Arsimit në përfundimin e ciklit të parë të Kartës së Bolonjës. Për këtë arsye, ne kemi refuzuar t‘i tërheqim ato deri sa të na ofrohet një diplomë e denjë, ku në përmbajtjen e saj të përfshihen edhe kërkesat më minimale të një studenti i cili ka studiuar për tre vite rresht pranë fakultetit të mësipërm", shprehen të rinjtë. Kërkesa kryesore e tyre është vendosja e titullit në diplomë dhe formulimi i saktë i saj. Ndërsa për refuzimin argumentojnë se: Diploma e Nivelit të Parë nuk përmban titullin e studimit, emrin e fakultetit ku kanë studiuar, ka gabime ortografike, nuk ka një formë të besueshme për tregun e punës, si dhe shtojnë se është përdorur një standard i dyfishtë për Kartën e Bolonjës, pasi brezi i studentëve që kanë studiuar në vitet 2004-2007 është pajisur me diplomë të rregullt, ku jepet dhe titulli i specialitetit. Ata kanë kërkuar që të pajisen me diplomë të rregullt, e cila të përmbajë të gjitha elementët e një diplome të mirëfilltë universitare si titullin, në rastin konkret "Gazetar apo specialist i medias", emrin e fakultetit, si dhe të jetë në formë kartoni si diplomat e brezit të parë të Bolonjës në Gazetari. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit ka reaguar edhe një ditë më parë, duke thënë se ky model diplome garanton më shumë hapësira pune për këta të rinj. "Bëjmë me dije se ky standardizim është në përputhje me diplomat që lëshohen nga IAL-të brenda Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë dhe më gjerë", ka konfirmuar MASH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›