E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, në radhë për legalizimin e dokumenteve

Prej ditësh, sportelet e filialit të Postës në Fier po përballen me radhë të gjata. Personave të interesuar për shërbimet që ofron posta u duhet të qëndrojnë në radhë për disa orë, në mënyrë që të mbarojnë punë. Ata tregojnë se ka ndodhur që të presin në radhë për më shumë se katër orë. Pritja në radhë të gjata e klientëve në sportelet e postës pranohet edhe nga vetë punonjëset, të cilat pohojnë për gazetën se po përballen me një fluks të madh kërkesash. Ndërkaq shtojnë se ky fluks i madh ka shkaktuar kaos në përballimin pa probleme të situatës.

Më të ngarkuar, me njerëz që presin në radha të gjata, paraqiten sportelet e shërbimit për pranimin e dokumenteve për legalizim, në ambasadat e vendeve ku janë përqendruar edhe emigrantët, por kryesisht me ambasadën greke. Radhët e pritjes janë të gjata dhe nisin prej fillimit të procedurave të pranimit në mëngjes duke vazhduar deri në orarin e mbylljes së këtij shërbimi.

Në Postën Qendrore të Filialit të Fierit janë vendosur në dispozicion të këtij shërbimi vetëm dy sportele, të cilat duket se janë të pamjaftueshme për numrin e lartë të nevojave. Kjo për shkak se nuk mund të përballojnë dot kërkesat e mëdha që vijnë nga nevojat e komunitetit të Rrethit të Fierit. Emigrantët dhe qytetarët që duan të përfitojnë nga shërbimet që ofron Posta Shqiptare shprehen të pakënaqur dhe kërkojnë të paktën shtim të numrit të punonjësve dhe sporteleve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›