E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen prurjet e Drinit të Zi

Këto ditë janë shtuar dukshëm prurjet e ujit në lumin e Drinit të Zi, që është furnizuesi kryesor me ujë i hidrocentraleve të ndërtuar në kaskadën e këtij lumi. Shkrirja e dëborës në ditët e para të këtij viti, si rezultat i rritjes së temperaturave dhe reshjet e shiut, kanë ndikuar në shtimin e këtyre prurjeve. Mësohet se prurjet e këtyre ditëve janë në kufijtë e tyre maksimalë, me rreth 140 metër kub ujë për sekondë, nga 80 deri 100 metër kub që ishin ditë më parë. Prurjet e shumta rrezikojnë nga ana tjetër zonat përreth lumit. Megjithatë, banorët e Gjioricës nuk ndjehen më të kërcënuar nga vërshimet e Drinit, falë një investimi të bërë nga qeveria për ndërtimin e argjinaturës së tij, e cila pas viteve ‘90 u dëmtua nga banorët. Sipas specialistëve të ujit, janë të hapura edhe portat e Hidrocentralit të Spilesë në Dibër të Madhe të Maqedonisë. Një gjendje e tillë, thonë specialistët, e ka përmirësuar ndjeshëm rritjen e nivelit të ujit në kaskadën e Drinit, ku ndodhen hidrocentralet më të mëdhenj të vendit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›