E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja e parë, dy varrezat për ushtarët grekë

 

Marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve i ka paraprirë nënshkrimi në janar i një tjetër pakti mes Athinës dhe Tiranës, ngritja e dy varrezave për të rënët grekë ne vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Greqia pretendonte gjatë negociatave se në luftën greko-italiane në vitin 1940 në Shqipëri janë vrarë 12 mijë ushtarë helenë. Madje sipas palës fqinje, ushtarët grekë që kanë rënë në krye të detyrës kanë qenë pjesë e luftimeve deri në zonën e Elbasanit. Dokumenti i pranuar nga të dyja palët vendos ngritjen e dy varrezave, një në Këlcyrë, 4 km përpara këtij qyteti si dhe një në fshatin Bularat të Gjirokastrës. Hapësira që do të marrin këto dy varreza është rreth 10 mijë m2. Ndërkohë që të gjitha procedurat e kërkimit, zhvarrimit, identifikimit dhe varrimit të eshtrave do të mbulohen nga pala greke. Në marrëveshje është parashikuar gjithashtu, që nëse hapësirat e zëna nga varrezat do të përdoren për interesa publike, atëherë pala shqiptare është e detyruar të vërë në dispozicion të palës greke një shesh tjetër të përshtatshëm, si dhe do të mbulojë të gjitha shpenzimet për rivarrimin e eshtrave dhe sistemin e varreve të reja. “Pala greke do të mbulojë shpenzimet për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin. Veç kësaj, pala greke do të sigurojë pajisjet e nevojshme teknike dhe infrastrukturën logjistike”, theksohet në marrëveshje. Gjithashtu, është përcaktuar edhe data 28 tetor si dita përkujtimore e të rënëve grekë. “Ceremonitë zyrtare të përkujtimit të personave të rënë në luftë do të organizohen nga përfaqësuesit e Republikës Greke dhe të Republikës së Shqipërisë, çdo vit, më 28 tetor. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të së afërmve dhe miqve të së rënëve”.

Marrëveshja

    2 varrezat do të ngrihen në Këlcyrë e Bularat     12,000 trupa greke kanë rënë në Shqipëri sipas Athinës     28 tetori dita kur do të zhvillohet ceremonia zyrtare në kujtim të së rënëve     10 mijë m2 hapësira që do zënë dy varrezat     4 vjet kanë zgjatur bisedimet për     marrëveshjen

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›