Selia në NATO,kostoja shkon 480 mijë euro
Hapja e selisë së përhershme në NATO do t’i kushtojë shtetit shqiptar në vit 480 mijë euro. Qeveria mori vendimin për hapjen e përfaqësisë së përhershme të Republikës së Shqipërisë pranë selisë së NATO-s në Bruksel, duke shtuar edhe numrin e punonjësve në këtë përfaqësi. Në vendimin e saj, Qeveria ka përcaktuar numrin ushtarakëve dhe gradat e tyre. Gjithsej do të jenë 13 ushtarakë dhe punonjës që do të punojnë në selinë tonë të NATO-s në Bruksel. “Në përfaqësinë e përhershme të Republikës së Shqipërisë funksionon përfaqësia ushtarake, e cila përbëhet nga: Përfaqësues ushtarakë në NATO, gjeneral major; zëvendës/përfaqësues kolonel; oficer shtabi për inteligjencën, nënkolonel; oficer shtabi për operacionet e stërvitjen, nënkolonel; oficer shtabi për logjistikën, nënkolonel; oficer shtabi për planifikimin, nënkolonel; oficer shtabi për komunikim/standardizim, nënkolonel; oficer shtabi për komitetet politiko-ushtarake të NATO-s dhe koordinimin me BE-në, nënkolonel; oficer shtabi për mbrojtjen ajrore, nënkolonel; specialist për administrimin/ financë/protokoll, major, nënoficer për administrimin/ sekretar/operator, kapter; nënoficer për regjistrin, rrjetin e klasifikuar, kapter; shofer/adjutant”, thuhet në vendimin e qeverisë. Në bazë të relacionit të qeverisë ushtarakët do të emërohen dhe lirohen nga detyra në përfaqësinë ushtarake nga ministri i Mbrojtjes. “Efektet financiare vjetore për mbështetjen e përfaqësisë ushtarake në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë selisë së NATO-s, Bruksel janë në shumën 480.000 euro. Efektet financiare shtesë për vitin 2009 janë në shumën 280 mijë euro. Këto efekte financiare do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Ushtarakët e përfaqësisë në Bruksel, sipas relacionit, do të trajtohen me pagë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave “Për pagat e atasheve ushtarakë, të ushtarakëve të Forcave Armatosura, që shërbejnë në përfaqësinë ushtarake pranë NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe shtabet ushtarake ndërkombëtare”. Gjithashtu edhe shpenzimet për interes të shtetit do të përballohet nga ana e shtetit. Në relacion, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa kërkon miratimin me procedurë të shpejtë të këtij vendimi për shkak të plotësimit të stafit të nevojshëm. Kjo për shkak të përfaqësimit të Shqipërisë në një mënyrë sa më të mirë të mundshme në mbledhjet e NATO-s, ku tashmë jemi anëtarë me të drejta të plota në organizmin më të fuqishëm ushtarak në botë.