E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata, telefona me tarifa të ulëta

Qeveria “Berisha” nuk heq dorë nga dieta, as në rastin e celularëve të punonjësve të administratës shtetërore, të cilët do jenë të detyruar të abonohen tek kompanitë që ofrojnë çmimet më të lira në treg. Rrogëtarët e administratës do të zgjedhin mes tre kompanive aktuale, mobilare. Kjo, pasi qeveria është në kërkim të një pakete tërheqëse për të marrë tarifat më të leverdishme, duke zgjedhur ato kompani që ofrojnë tarifat më të ulëta. Këtë kërkoi dje Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e këshillit të Ministrave, me qëllim kursimin e parave në Buxhetin e shtetit, pasi një pjese të punonjësve kuotat e telefonit u paguhen nga institucioni përkatës. Një praktikë e tillë deri tani është bërë vetëm me institucionin e Policisë së Shtetit, ndërkohë që tashmë, shembullin e saj do ta ndjekin edhe institucionet e tjera shtetërore. Komunikimi brenda të njëjtit institucion do të jetë shumë herë më pak i kushtueshëm sesa abonimet e bëra deri më sot. Shefi i qeverisë shpjegoi dje para anëtarëve të Këshillit të Ministrave se kompanitë e telefonisë celulare që do të ofrojnë ofertën më të favorshme do të kenë si abonentë të gjithë punonjësit e administratës shtetërore. Z. Berisha i kërkoi dje ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashit, hapjen e tenderit në këtë drejtim. Sipas tij, "ajo kompani që do të ofrojë çmimin më të leverdishëm do të ketë abonentë të gjithë punonjësit e administratës shtetërore që dëshirojnë, pasi me detyrim është vetëm për ata që subvencionon qeveria në një shkallë të caktuar". Për këtë, Berisha u shpreh se duhet biseduar me gjithë administratën shtetërore, por edhe me ndërmarrjet publike, me korporatat dhe me qeverinë vendore, që të bëhet një paketë shumë tërheqëse, për të marrë tarifat më të leverdishme. Berisha nënvizoi se "tani janë 3 operatorë, por pak më vonë do të jenë edhe më shumë të tjerë". Ai cilësoi se "tregu është treg, ndaj edhe qeveria do të abonohet tek ajo kompani që ofron tarifën më të ulët. Kjo praktikë pritet të ruajë arkën e shtetit. Gjithsesi në rast të praktikimit të abonimit të administratës tek kompanitë që kushtojnë më lirë, do të ruajë të pacenuar buxhetin e shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›