E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bordet ; Zyrtarët e lartë para 4 viteve fitonin 4 herë më shumë



Këshilltarët dhe zv.ministrat në fillim të vitit 2004, firmosnin në disa bordero, duke pasur paga deri në 4 herë më të larta se në ditën e sotme. Kjo, falë pjesëmarrjes në disa borde drejtuese

Të ishe zyrtar i lartë para katër viteve, do të kishe mundësi që të fitoje katër herë më shumë se në ditët e sotme. Mazhoranca dhe opozita i kanë kthyer armët edhe një herë tek ky debat, duke akuzuar njëra-tjetrën për përfitime të majme të administratës. Gazeta “standard” ruan deklarimet e pasurisë së disa zyrtarëve të lartë që kanë bërë në fillimvitin 2004. Deklarimet e zyrtarëve të sotëm me deklarimet e zyrtarëve të para katër viteve kanë mospërputhje, pasi para katër viteve kishe mundësi që të merrje pagë në 10 bordero të ndryshme. Sipas deklarimeve, janë përfshirë të ardhura bruto të zyrtarëve të para katër viteve, ndërkohë që të ardhurat shtesë si, dieta, shpërblime, orare shtesë apo udhëtime, nuk janë të përfshira, për shkak se deklaratat mbajnë datat e fillimvitit. Deputetët e Partisë Socialiste kanë akuzuar disa zyrtarë të qeverisë si këshilltarë apo zëvendësministra që përfitojnë më tepër se paga e tyre. Nga ana tjetër, deputetët e djathtë janë shprehur se qeveria miratoi një vendim të posaçëm që ndalon çdo zyrtar të marrë pjesë në më shumë se dy borde entesh publike, duke bërë që përfitimi të mos jetë më i madh se 45 mijë lekë të vjetra shtesë. Ata kanë kujtuar se kohën e qeverisjes së socialistëve, kishte zyrtarë që firmosin paga deri në 10 bordero të ndryshme.

Krahasimi

Deklarimet e fillimvitit 2004 tregojnë se zyrtarët kanë përfituar disa herë më shumë se ata të sotmit. Duke bërë këtë krahasim, zyrtari më i varfër në të ardhura shtetërore para katër viteve, është i barabartë me zyrtarin më të pasur të ditëve të sotme. Adriana Berberi, ish-zëvendësministre e Financave, krahas pagës së saj në këtë detyrë, përfitonte edhe 8 paga të tjera nga 8 institucione të tjera, ente publike. Paga e saj në raport me punën që bënte si zëvendësministre, ishte 4 herë më e lartë se paga e një kolegu të saj në ditën e sotme. Përfitimi i Berberit nga ana financiare ishte afërsisht 43 milionë lekë në vit. Ndërkohë, duke harruar këto fakte jo shumë të largëta të qeverisjes socialiste, numri dy i parlamentarëve socialistë pak ditë më parë akuzoi këshilltarët e Kryeministrit për përfitime nga bordet. Ai tha se në bazë të deklarimeve, këshilltarët e Kryeministrit Berisha fitojnë disa miliona më shumë se paga. Sipas deklaratës së deputetit socialist Braçe, asnjë këshilltar i Kryeministri Berisha nuk përfiton më shumë se 20 milionë lekë të vjetra në vit. Krahasuar këtë shumë të hollash me ato të para katër viteve, duket se ky standardi i sotëm me atë të kohës socialiste është më minimali.

Deklaratat

Pjesëmarrja në borde entesh publike në kohën e qeverisjes socialiste ishte e papërcaktuar, duke u lënë kështu atyre dorë të lirë që të përfitonin sa më shumë rroga shtesë nga buxheti i shtetit. Sot, një zyrtar nuk mund të jetë anëtar më shumë se në dy borde, ndryshe duhet të përballet me ligjin. Zëvendësministri i Turizmit të para katër viteve, Artan Lame, firmoste në gjashtë bordero, duke bërë që përfitimi i tij të ishte rreth 19 milionë lekë. Zëvendësministri i Ekonomisë të para katër viteve, Luan Shahollari, firmoste edhe në pesë borde të tjera duke bërë që të ardhurat e tij të ishte mbi 20 milionë lekë në vit. Në shifra të larta luhaten edhe zyrtarë të tjerë të cilët edhe pse firmosnin vetëm në dy borde, kishin të ardhura tepër të larta. Taulant Balla përfitonte dy paga në kabinetin qeveritar si ndihmës këshilltar i Kryeministrit dhe si këshilltar i zëvendëskryeministrit. Ai ishte edhe anëtar i UNICEF-it, duke pasur të ardhura vjetore që shkonin deri në 40 milionë lekë në vit. Ndonëse shumë prej zyrtarëve në fillimvitin 2004 ishin vetëm në dy borde, ata kishin përfitime të cilat kapnin shifra deri në 20 milionë lekë në vit. Raste të tilla si zëvendësministri i Transporteve, Arben Ahmetaj, Dhimitraq Rafti apo Vjollca Ibro, ndonëse ishin vetëm në dy borde, kishin të ardhura deri në 20 milionë lekë në vit.

Adriana Bergeri

Pozicioni Shuma e përfituar

Zv.minsitre e Financave 14 milionë lekë/vit

Kryetare bordi FFZM 2.79 milionë lekë/vit

Anëtare bordi ANIF 1.06 milionë lekë/vit

Zv.kryetare bordi ASHG 4.9 milionë lekë/vit

Kryetare bordi FFR 2.51 milionë lekë/vit

Kryetare bordi Posta Shqiptare 6.77 milionë lekë/vit

Kryetare bordi SME 4.4 milionë lekë/vit

Anëtare bordi FSHZH 4.2 milionë lekë/vit

Anëtare bordi BISH 4.14 milionë lekë/vit

Shuma totale 42.87 milionë lekë/vit

Artan Lame

Pozicioni Shuma e përfituar

Zv.ministër i Turizmit 14 milionë lekë/vit

Sekretar i KRRTRSH 0.63 milionë lekë/vit

Kryetar bordi i Butrintit 0.21 milionë lekë/vit

Anëtar i bordit ANIH 0.89 milionë lekë/vit

Kryetar bordi i ALBTURIZM-it 2.7 milionë lekë/vit

Anëtar bordi i KZHT 0.13 milionë lekë/vit

Anëtar bordi i AKKP 0.36 milionë lekë/vit

Shuma totale 18.89 milionë lekë/vit

Luan Shahollari

Pozicioni Shuma e përfituar

Zv.ministër i Ekonomisë 14 milionë lekë/vit

Zv.kryetar i APD 2.3 milionë lekë/vit

Kryetar bordi i FR 1.9 milionë lekë/vit

Kryetar bordi i ANE 1 milionë lekë/vit

Kryetar bordi i ANUM 0.9 milionë lekë/vit

Kryetar bordi i QKP 0.32 milionë lekë/vit

Shuma totale 20.42 milionë lekë/vit

Taulant Balla

Pozicioni Shuma e përfituar

Ndihmës në Kabinetin e Kryem 14 milionë lekë/vit

Këshilltar i zv.kryeministrit 8 milionë lekë/vit

Anëtar në UNICEF 18 milionë lekë/vit

Shuma totale 40 milionë lekë/vit

Arben Ahmetaj

Pozicioni Shuma e përfituar

Zv.ministër Telekomunikimit 14 milionë lekë/vit

Kryetar bordi i ALBPETROL 3.6 milionë lekë/vit

Anëtar bordi Bursa e Tiranës 1.9 milionë lekë/vit

Shuma totale 19.5 milionë lekë/vit

Arben Isaraj

Pozicioni Shuma e përfituar

Këshilltar i Kryeministrit 11 milionë lekë/vit

Anëtar bordi i AG 0.35 milionë lekë/vit

Anëtar bordi i EKB 0.27 milionë lekë/vit

Shuma totale 11.62 milionë lekë/vit

Dhimitraq Rafti

Pozicioni Shuma e përfituar

Zv.ministër i Transporteve 14 milionë lekë/vit

Kryetar bordi i ALBtransport 3.7 milionë lekë/vit

Kryetar bordi i TAULANTIA 2.15 milionë lekë/vit

Shuma totale 19.85 milionë lekë/vit

Vjollca Ibro

Pozicioni Shuma e përfituar

Zv.minsitre e Bujqësisë 14 milionë lekë/vit

Anëtare bordi ANE 5.2 milionë lekë/vit

Anëtare bordi KAAL 0.8 milionë lekë/vit

Shuma totale 20 milionë lekë/vit

Agim Isaku

Pozicioni Shuma e përfituar

Këshilltar i Kryeministrit 12 milionë lekë/vit

Anëtar bordi i ANTA 2.4 milionë lekë/vit

Anëtar bordi i Posta Shqiptare 2.25 milionë lekë/vit

Shuma totale 16.65 milionë lekë/vit

Vendimi i qeverisë

Zyrtarët e sotëm nuk përfitojnë më shumë se 45 mijë lekë shtesë

Sapo erdhi në pushtet, Kryeministri Sali Berisha vendosi që zyrtarët e qeverisë së tij të mos marrin pjesë më shumë se në dy borde si anëtarë, e përkthyer në shifra përfitimi, një zëvendësministër apo këshilltar, krahas pagës së tij, nuk mund të përfitojë më shumë se 45 mijë lekë të reja në një muaj. Vendimi ka bërë të detyrueshëm që çdo emër zyrtari që emërohet në bordet drejtuese të kompanive apo ndërmarrjeve shtetërore, të verifikohet dhe të mos pranohet, në rast se ai kërkon të punojë në më shumë se dy borde. Kështu, një anëtar i administratës nuk mund të jetë më shumë se në dy borde njëkohësisht, shpërblimi për anëtarët e bordit do të jetë sa 30 për qind e rrogës së sekretarit të përgjithshëm të ministrisë nga ku varet kjo ndërmarrje, ndërkohë që në përbërjen e bordeve do të përfshihen edhe intelektualë nga bota akademike dhe institucionet kërkimore. Këshilli i Ministrave konstatoi se vendimi i mëparshëm ka qenë i bazuar mbi konfliktin e interesit dhe babëzinë. Sipas qeverisë, ai i ka lejuar zyrtarët e lartë të administratës së mëparshme anëtarësimin deri në 10 borde të ndryshme, duke arritur në shpërblime që në disa raste kapin shumën midis 10 dhe 14 milionë lekë në muaj.

Zyrtarët socialistë drejtonin njëkohësisht disa institucione me objektiva të kundërta

Zyrtarët në kohën e qeverisjes socialiste nuk kishin tavan për sa i përket pjesëmarrjes së bordet e enteve publike. Krahas kësaj, ata mund të drejtonin borde si kryetarë disa institucione, të cilat kishin interesa të kundërta me njëra-tjetrën. Ish-zëvendësministrja e Financave, Adriana Berberi, drejtonte katër institucione njëkohësisht. Ajo ishte në krye të Fondit të Financimit Rural, njëkohësisht edhe anëtare e Bankës Italo-Shqiptare, çka nënkupton një konflikt interesi. Në logjikën ekonomike, asnjë institucion financiar bankar nuk kërkon të ketë konkurrencë nga programe të tjera financiare, qoftë edhe qeveritare. Në deklarimet e zyrtarëve të tjerë shihen të njëjtat situata, drejtues të disa enteve publike në të njëjtën kohë. Dhimitraq Rafti drejtonte ALBtransportin, si dhe Taulantian, të dyja shoqëri transporti publike. Ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Luan Shahollari, ishte drejtues i katër institucione të tjera publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›