Deputetë të Kuvendit “hetojnë” reformën në “Albpetrol” dhe ARMO
Një grup deputetësh të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit pranë Kuvendit të Shqipërisë, kanë mbërritur në dy kompanitë e naftës vendase në Fier për të kaluar “në sitë” zbatimin e reformës në zbërthim të VKM nr. 261, datë 27.02.2008. Një grup deputetësh të Parlamentit shqiptar, të shumicës së djathtë dhe opozitës kanë mbërritur në zyrat qendrore të kompanisë “Albpetrol”, duke i lënë në tavolinë drejtorit të Përgjithshëm, Ylli Gjoni, një program pune në lidhje “me hetimin” treditor të reformës. Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit pranë Kuvendit të Shqipërisë ka dërguar drejt Fierit deputetin e PD, Ilir Bano dhe Fatmir Xhindin, Pilo Kërri e Flamur Hoxha të PS, të cilët kanë kontaktuar me drejtorin e Përgjithshëm të “Albpetrol”-it, Ylli Gjoni dhe drejtues të tjerë të kompanisë. Siç bëhet e ditur nga programi i punës, lënë në tavolinën e “Albpetrol” prej deputetëve, mësohet se objekt i kontrollit parlamentar në kompaninë naftënxjerrëse shqiptare do të jenë mënyra e kryerjes së reformës në dy kompanitë: ARMO dhe “Albpetrol”, në zbatim të VKM nr. 261, datë 27.02.2008. Grupi parlamentar i deputetëve do të “hetojë” imtësisht se si e ka zbërthyer VKM e mësipërme “Albpetrol” dhe ARMO.