Leskaj: Do votojmë vetëm për dekretet e Presidentit
Partia Socialiste paralajmëron një seancë aspak të qetë, kur në seancë të mbërrijë për votim çështja e dekreteve të Presidentit për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, tha dje për mediat se PS do të kërkojë dhe votojë vetëm dekretet e Presidentit dhe nuk do pranojë asnjë lloj votimi tjetër. Ndërkohë mazhoranca nga ana e saj ka paralajmëruar hedhjen në votim, nëse Presidenti ka ndjekur procedurat e duhura për dekretet ose jo. “Natyrisht që opozita do të votojë pro dekreteve të Presidentit, do të insistojë me forcë dhe do kërkojë që dekretet të futen në procedurë sipas rregullores së Kuvendit dhe sipas të gjitha procedurave dhe ligjeve të shtetit. Të futen me votim të fshehtë, sepse nuk ka rrugë tjetër. Nuk mund të futet në Kuvend raporti i komisionit, në Kuvend duhet të futen dekretet e Presidentit për t’u votuar. Mazhoranca në rast se do t’i rrëzojë, le t’i rrëzojë në Kuvend. Ne do të votojmë natyrisht pro dekreteve të Presidentit, pro Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, - tha Leskaj. Çështja e dekreteve është një ndër pikat ku është kapur fort PS, për të bazuar kërkesën e saj për mocion. Më shumë se një javë pasi kjo parti ka ngritur grupin e punës, nuk ka ende një vendim nëse do të hidhet ky hap. Të paktën publikisht socialistët thonë se grupi i punës është ende në shqyrtim, çka tregon vendosmërinë e PS-së për këtë bërë mocionin, por duket se realisht kjo forcë e opozitës është në rritje të veprimeve të mëtejshme të kryetares së Kuvendit, lidhur me dekretet, por edhe me heqjen e imunitetit të Mediut. Heqja e imunitetit duket se nuk do të jetë aspak e largët, çka u jep një mundësi më pak të majtëve për të kërkuar mocion. Ndërsa fati i dekreteve është ai që do të bindë socialistët se çfarë hapi duhet të hedhin.