E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, qeveria edhe 900 milionë shtesë për shtëpitë dhe bizneset

Qeveria nxjerr nga buxheti i saj edhe 900 milionë lekë të tjera, si kompensim përfundimtar për dëmet e shkaktuara më 15 mars. Duke evituar komentet për grevën e disa banorëve të Gërdecit, Kryeministri Sali Berisha informoi dje në mbledhjen e qeverisë se përfundoi edhe kompensimi përfundimtar për dëmet e shkaktuara nga tragjedia e 15 marsit. Me një fond shtesë prej 900 milionë lekësh, qeveria do të dëmshpërblejë edhe bizneset që ende nuk kishin marrë paratë për dëmin e shkaktuar. Megjithatë, sipas Berishës, gjithçka po shkon më së miri me rindërtimin e Gërdecit. Duke informuar për fondin shtesë, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se "pas procesit të riverifikimit të dëmit rezultoi se vlerësimi në tërësi qëndronte, ndërkohë që fondi shtesë përfshin dhe bizneset, fshatrat e Manzës dhe të Marikajt". "Në tërësi rivlerësimi shtrihet në Bashkinë e Manzës dhe në Komunën Maminas, por përfshin edhe kundërshtitë e familjarëve që nuk ishin të bindur për vlerësimin. Përveç zonës së rrezikut, aty vazhdon ndërtimi në mënyrë të admirueshme nga njerëz me shpirt punëtor, të cilët mezi presin të kthehen në shtëpitë e tyre", - tha Kryeministri Berisha. Në kuadër të masave të ndërmarra nga qeveria në këtë drejtim, Kryeministri Berisha vuri në dukje se gjatë 6 muajve që do të ndërtohen shtëpitë e dëmtuara nga shpërthimi i 15 marsit, familjarëve u është akorduar edhe një fond prej 25 mijë lekësh në muaj për pagesën e qirave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›