Qeveria përcakton ushqimin e përditshëm të gardistëve
Këshilli i Ministrave miratoi dje normën ushqimore të efektivit gardist të Gardës së Republikës. Efektivi i gardës do të trajtohet me një normë ushqimore prej 231.000 (dyqind e tridhjetë e një mijë) lekë, për racion ditor. Fatura financiare përballohet nga buxheti i vitit 2008, miratuar për Gardën e Republikës së Shqipërisë. Në bazë të relacionit të paraqitur nga ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani, bëhet e ditur se norma aktuale e ushqimit për efektivat gardiste të Gardës së Republikës, nuk siguron balancimin e energjisë që merren nga ushqimi me ato që shpenzohen nga veprimtaria e aktivitetit të tyre ditor. Po ashtu, nuk siguron raportet e rekomanduara të përbërësve ushqimorë. Ndaj gjykohet se gardistët kanë një ngarkesë të lartë fizike e psikologjike, që shoqërohet me një shpenzim të madh energjish. Ndaj kërkohet balancim i energjive të shpenzuara me ato të marra. Por dje Këshilli i Ministrave miratoi edhe qiratë e banesave dhe ushqimeve të ushtarakëve të Forcave të Armatosura. Efektet financiare prej 95.000.000 lekë do të përballohet nga buxheti i vitit 2008 miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.