E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administratori: Al-Qadi nuk ka kryer asnjë krim

Gjykata rrëzon pretendimet e Abu Rayan për marrjen në pyetje pa avokat
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, me vendim të ndërmjetëm rrëzoi kërkesën e bërë nga mbrojtësi ligjor i administratorit të shoqërisë "Loxhall" sh.p.k, Hamzeh Abu Rayan. Ky i fundit pretendoi ndër të tjera se është marrë në pyetje pa praninë e përkthyesit të gjuhës arabe. Mbi administratorin Rayan, prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën e fshehjes së fondeve, ndaj të cilave zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit, për të shmangur zbulimin dhe vendndodhjen e tyre. Sipas vendimit të togave të zeza, i pandehuri Abu Rayan ka nënshkruar procesverbalet e marrjes në pyetje dhe është vënë në dijeni për marrjen në pyetje edhe pa praninë e përkthyesit. Pas marrjes së këtij vendimi, i pandehuri së bashku me mbrojtësit ligjorë duke e quajtur vendimin e ndërmjetëm të kundërligjshëm dhe të njëanshëm, u larguan në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit. Sipas kërkesave të tij, ai kërkoi të shpallë të pavlefshme të gjitha procesverbalet e përpiluara nga prokuroria dhe pushimin e hetimit gjyqësor ndaj tij. "Nuk kam kryer asnjë vepër penale dhe se për pronarin Yasin Al-Qadi, deri sot nuk ka asnjë akuzë kundër tij. Të gjitha çështjet gjyqësore në ngarkim të tij janë pushuar dhe Al-Qadi nuk është dënuar për asnjë lloj krimi. Ai është vetëm i dyshuar nga vende të ndryshme",-tha Rayan. Ndërsa sa i përket shumës prej 10 milionë lekësh që akuzohet për fshehjen e të ardhurave, Rayan u shpreh se: "veprimtaria e shoqërisë që administroj është e ligjshme, ka qenë e hapur dhe se shuma për të cilën akuzohem është e justifikuar me dokumente të rregullta ligjore, si shpenzime gjyqësore të vërtetuara me fatura tatimore, një pjesë janë shpenzime për udhëtim e dieta, të cilat provohen me biletat e udhëtimit dhe vulat në pasaportën time".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›