E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipotekat bllokojnë shitjen e pronave

Prej dy javësh, nga sportelet e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive nuk del asnjë certifikatë pronësie. Irritohen qytetarët
Lleshi: S'ka udhëzim për taksën. Qytetarët: Mirë që rriten taksat, por nuk na japin certifikatën
TIRANË- Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bllokon shitjen e pronave. Prej dy javësh, qytetarët që duan të shesin apo të blejnë prona në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit nuk mund t'i regjistrojnë ato në Hipotekë. Shkak për këtë bllokim të punës është bërë vendimi i Këshillit të Ministrave për futjen e taksës së sheshtë, që ka hyrë në fuqi nga data 1 janar dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) nuk është udhëzuar nga Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë për detyrimet që qytetari ka, kundrejt regjistrimit dhe çregjistrimit të pronës në certifikatën e pronësisë. Ky lajm konfirmohet nga shefi i Marrëdhënieve me Publikun pranë Hipotekës, Zef Lleshi, i cili shprehet për gazetën se: "të gjithë kërkesat e qytetarëve po i regjistrojmë si aplikim për certifikatën e pronësisë, por nuk mund ta marrin atë, pasi me hyrjen në fuqi të vendimit për taksën e sheshtë, institucioni ynë nuk ka marrë ende udhëzimin nga Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë për taksën që duhet të paguajë qytetari".
***
Sipas Lleshit, para datës 31 dhjetor të vitit që lamë pas, pagesat e taksës në rast shit-blerje të pronës kanë qenë nga 0.5 % e vlerës së shitur deri në 3 %, ndërsa tani, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave duhet të paguhen 10 %. Por endepranë Hipotekës nuk ka ardhur asnjë udhëzim nga dy institucionet shtetërore për tarifën e pagesës në lidhje me akt-shitjen e pronës dhe regjistrimin apo çregjistrimin e kësaj prone të shitur. Në hollin e Hipotekës së Tiranës, gjatë ditës së djeshme një grumbull qytetarësh, të mbledhur pranë sporteleve të punonjësve të kësaj administrate, ngrinin zërin duke u ankuar dhe kërkuar llogari për bllokimin e dhënies së certifikatave të pronësisë. "Kam një javë që sillem sa në një sportel e sa në një tjetër dhe nuk marr asnjë përgjigje tjetër veç asaj që nuk mund të pajisem me certifikatën e pronësisë. Mirë që është ngritur tarifa deri në 10 % e vlerës së shitur, por edhe nuk na lejojnë të vazhdojmë proceduarat e shitjes",-thotë një qytetar, që endet sa në një sportel në tjetrin." Unë duhet ta shes shtëpinë, për shkak se më duhen të hollat për të shkuar në Turqi për të vizituar djalin se e kam të paralizuar dhe këta nuk më japin certifikatën që ta kaloj pronësinë mbi blerësin. Djali më dergjet në shtëpi dhe unë sillem në dyert e këtyre, për të drejtën time",-shprehet Evangjeli Hasa, një mesogrua që banon në rrugën "Ali Demi".
Ndërkohë, i irrituar avokati Agron Bajri shprehet se pezullimi i procedurave të regjistrimit në ZRPP-së përbën veprime abuzive, që pengojnë qytetarët në realizimin e të drejtave të tyre për regjistrimin apo çregjistrimin e pronës së tyre. "Mendoj se veprime të tilla vijnë si rezultat i mungesës profesionale të njerëzve mediokër që u është besuar funksioni i drejtuesve të këtyre zyrave. Pasi këta persona kanë marrë funksione të pamerituar dhe si rezultat të allashverisheve të ish-drejtuesve të Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtuesve të Ministrisë së Financave, që janë bërë shkak për bllokimin e ushtrimit të të drejtës nga qytetari. Është fatkeqësi që për dy javë të sillemi nëpër dyert e këtyre zyrave dhe asnjëri nga këto nuk të thotë se kur mund të bëhet pajisja me certifikatë pronësie",-thotë avokati. Edhe qytetarët e tjerë ankohen për këtë bllokadë, duke e quajtur këtë mosfunksionim si rezultat i burokracive të institucioneve të Financave dhe Drejtësisë. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave që është miratuar në qershor të vitit që kaloi, çdo qytetar për çdo akt-shitje të pronës dhe nxjerrjes së certifikatës së pronësisë duhet të paguajë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme taksën e sheshtë prej 10 % të vlerës së shitur.
NENI 10
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është organ i administratës publike dhe si i tillë është i destinuar të respektojë dispozitat e Kodit të Procedurës Administrative gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, nëpërmjet akteve individuale të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Duhet detyrimisht të respektojë parimin e përgjithshëm të Procedurës Administrative siç është parimi i mbrojtjes së interesit publik dhe të drejtën private që parashikohet në nenin 10 të Kodit të Procedurës Administrative. Në të cilin thuhet se administrata publike në ushtrim të funksionit të saj mbron interesin publik dhe të drejtën Kushtetuese dhe ligjshmërinë e personave privatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›