Shqipëria në errësirë, stakohet energjia për 45 minuta
Një "black out" ka përfshirë të gjithë vendin, gjatë orëve të para të ditës së djeshme
Orët e para të ditës së djeshme e kanë gjetur vendin në errësirë totale, pas rënies së gjithë linjave të energjisë. Kolapsi energjetik, sipas specialistëve të OST, vjen për shkaqe të mungesës disavjeçare të investimeve në rrjet, të cilat e bëjnë të pamundur mbajtjen e vendit 24 orë me energji, në kushte të një sigurie të lartë. Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka bërë të ditur se dje, në orën 08:01, në Nënstacionin 400 kV Zemblak u stakuan linjat 400 kV Zemblak - Kardia, Zemblak - Elbasan 2 dhe të dyja linjat mbetën nën tension. Në orën 08:08, në nënstacionin e Vaut të Dejës u stakua çelësi i linjës Vau Dejes - Podgoricë nga mbrojtja maksimale e rrymës, linja mbeti nën tension nga ana e Podgoricës. Ndërsa në orën 08:11 në nënstacionin e Fierzës u stakua linja Fierzë - Prizren në Prizren, nga mbrojtja maksimale e rrymës. Sipas OST-së, në këtë moment u stakuan agregatët në të tre centralet e kaskadës së Drinit, nga mbrojtja e mbingarkesës dhe e tensionit minimal dhe u bë rrëzimi i plotë i sistemit tonë elektroenergjitik. OST-ja, përmes një njoftimi për shtyp, bën të ditur se nga analiza paraprake rezulton se shkaku i rrëzimit të Sistemit Elektroenergjitik ishte avaria e ndodhur ne nënstacionin e Zemblakut, e shoqëruar me hapjen e Interkonjeksionit me Greqinë, nga e cila realizohet rreth 75% e sasisë fizike të importit të energjisë elektrike për gjithë vendin. Në këtë situatë, në orën 08:24, në marrëveshje me Operatorin e Kosovës u mbyll linja Podgoricë - Fierzë. Operatori i Sistemit të Transmetimit vuri nën tension linjën 220 kV Fierzë - Koman dhe në orën 08.26 minuta iu dha tension Nënstacionit 220 kV të Tiranës nga Fierza, duke sjellë furnizimin e konsumatorëve të Tiranës. Në orën 08:39 minuta, në Vaun e Dejës u mbyll linja e Podgoricës dhe filloi furnizimi i konsumatoreve të Shkodrës. Me rritjen e gjenerimit në të tre centralet e kaskadës, filloi furnizimi gradual i të gjithë konsumatorëve të vendit, proces i cili praktikisht përfundoi në orën 08:45 min dhe në orën 09:03 minuta në Nënstacionin Zemblak u mbyll linja 400 kV në drejtim të Greqisë dhe u bë normalizimi i plotë i Sistemit Elektroenergjetik.