Kontrolli, dëmi nga qeveria 3.8 mld lekë
Fushat kryesore ku evidentohen shkeljet janë në paga, shpërblime, shpenzime për udhëtime, dieta, prokurime
TIRANË- Keqmenaxhimi i fondeve publike nga administrata e lartë shtetërore mbetet një nga "brejtësit" kryesorë të Buxhetit të Shtetit dhe parave të taksapaguesve shqiptarë. Abuzimi me prokurimet, pagat, shpërblimet, udhëtimet dhe dietat nga punonjësit e institucioneve të larta shtetërore, për periudhën kohore 2004-2006 i kanë kushtuar buxhetit të shtetit plot 3.8 miliardë lekë. Këtë konstatim e bën Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit në raportin e saj, pas kontrolleve që ka kryer në 14 institucione të larta dhe strukturat vartëse të tyre.
Kontrolli
Në bazë të vendimit të Kryeministrit, të vitit 2006, Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit që nga marsi i vitit të shkuar ka nisur kontrollet e saj për përdorimin e fondeve publike për investimet, pagesat, ndihmën ekonomike, përkrahjen sociale dhe shërbimet shoqërore në sektorin publik, për periudhën Janar 2004-Qershor 2006. Duke u bazuar në programet e miratuara të kontrollit, kjo drejtori ka arritur të kryej 2331 misione auditimi, kryesisht në ministritë dhe strukturat vartëse të tyre, përfshi këtu dhe Shërbimin Informativ Shtetëror. Kontrolle nga të cilat, është evidentuar një dëm i përgjithshëm që kap shifrën e 3.8 miliardë lekëve. Nga dëmi i zbuluar, rezulton se 2.1 miliardë lekë janë evazion fiskal, 443 milionë lekë dëm vijnë nga mungesat dhe dëmtimet dhe 1.1 miliardë nga shkeljet e disiplinës financiare. Sipas këtij raporti rezulton se Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, është institucioni që është gjetur me shkeljet më të mëdha financiare, duke kryer një dëm ekonomikë prej afro 2.1 miliardë lekësh dhe pas saj renditet Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës, me afro 800 milionë lekë abuzime. Institucioni ku dhe është konstatuar niveli më i ulët i dëmit ekonomik është Shërbimi Informativ Kombëtar, me vetëm 621 mijë lekë.
Masat
Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit, në raportin e saj, përveç dëmit të zbuluar konstaton dhe shkaqet e tij. Kështu, në këtë raport vlerësohet se shkeljet dhe dëmet kanë ardhur kryesisht nga fakti se sistemi i kontrollit të brendshëm financiar në institucione, funksionon me mangësi të mëdha. Kështu, shkeljet dhe dëmet e zbuluara rezulton se kanë ardhur kryesisht nga moszbatimi i drejtë i dispozitave ligjore e kateve nënligjore, nga mosdeklarimi i të ardhurave. Duke detajuar shkaqet në raport, theksohet se fushat kryesore ku evidentohen shkeljet janë në paga, shpërblime, shpenzime për udhëtime, dieta, prokurime, në blerjet e vogla, si dhe në moszbatimin si duhet të procedurave doganore dhe tatimore. Përveç kontrolleve dhe zbulimit të dëmit ekonomikë, inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Auditimit kanë arritur të përcaktojnë dhe përgjegjësit e tij në 98 për qind të rasteve, për të cilat është kërkuar dhe zhdëmtimi. Për të gjitha rastet e përgjegjësve të këtij dëmi janë bërë dhe propozimet për masa administrative dhe financiare, pra me gjoba. Kështu, të gjitha këto institucione, pasi iu është bërë i ditur dëmi i shkaktuar kanë propozuar marrjen e 8004 masave, ku nuk bëjnë përjashtim denoncimet për ndjekje penale (31) dhe padi gjyqësore (23).
Dëmi ekonomikë për çdo institucion për periudhën Janar 2004-Qershor 2006
Ministria e Financave 312 milionë
Ministria e Ekonomisë 808 milionë
Ministria e Bujqësisë6 milionë
Ministria e Transporteve 2.1 miliardë
Ministria e Punës3 milionë
Ministria e Shëndetësisë 2 milionë
Ministria e Drejtësisë7 milionë
Ministria e Mbrojtjes 32 milionë
Ministria e Brendshme 414 milionë
Ministria e Jashtme 12 milionë
Ministria e Arsimit 13 milionë
Ministria e Kulturës 8 milionë
Ministria e Mjedisit 28 milionë
Shërbimi Informativ Shtetëror621 mijë