Gjinushi: Bashkimi, çelësi i fitores në 2009
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi mbështet idenë e kreut të PS-së, Edi Rama
TIRANË- Ideja e kryesocialistit Edi Rama për të realizuar një bashkim të ri politik përtej koalicionit të tanishëm opozitar, ka gjetur përkrahje dhe nga aleatët e tjerë. Kryesocialdemokrati, Skënder Gjinushi shprehet optimist se arritja e një bashkimi të tillë do të realizohet, pasi është çelësi i fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tij, opozita është e gatshme që nëpërmjet një bashkimi real, të bëjë të mundur kthimin në pushtet dhe zbatimin e platformës së saj të përbashkët, për ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje. "Opozita tashmë është e gatshme jo vetëm të përballojë një fitore dhe një qeverisje, sigurisht pas fitores së 2009, me një platformë të re, por është e gatshme edhe t'i kthehet një bashkimi më real. Bashkimi shoqërohet edhe me institucionalizim të tij, të cilat fillojnë nga marrëveshjet e përbashkëta, deri edhe në forma të tjera më të qëndrueshme dhe më efikase",- u shpreh kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi. Ardhja e opozitës në pushtet, sipas tij, tashmë po kthehet në një domosdoshmëri për shqiptarët, si alternativa e vetme që mund të ndryshojë gjendjen e keqe që kjo qeveri ka krijuar tek qytetarët me anë të politikave të saj. Ndërkohë që ai ka theksuar se përpara se shqiptarët të shkojnë në zgjidhje në vitin 2009, duhet që qeveria e sotme të minimizojë sadopak efektet negative të kësaj qeverisjeje. Për këtë ai ka bërë të qartë se jo vetëm gjendja ekonomike e çdo shqiptari, por edhe sfida e ardhme e anëtarësimit në NATO, kërkon ndryshime të menjëhershme politike.