E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kapitulli i Nanos u mbyll në 2007-ën

 Gjatë turit të tij, kryesocialisti tha se një politikë e re ka nevojë edhe për një moral të ri
TIRANË- Braktisje, rrënim social, varfëri, të gjitha këto janë dokumentuar nga Kryetari i Partisë Socialiste, Rama dhe drejtuesit e lartë socialistë që e shoqëronin gjatë vizitës në Martanesh të Matit, në kuadër të "Dialogut me Shqipërinë" për çështjet sociale. Teksa është bërë dëshmitar i një varfërie ekstreme, i një braktisjeje nga të gjitha strukturat përkatëse i këtyre njerëzve që jetojnë në këtë zonë të vendit, gjatë dialogut për çështjet sociale, Rama ka bashkëbiseduar me ta, për një ndryshim rrënjësor të këtij realiteti. Kryetari i socialistëve ,duke parë një jetesë të tillë dhe duke dëgjuar dëshmitë e vetë banorëve të Martaneshit për harresën e strukturave të shtetit, i ka siguruar ata se Partia Socialiste është e vendosur që të ndryshojë këtë realitet, menjëherë sapo të vijë në pushtet. "Dua t'ju siguroj se idetë, propozimet, sugjerimet që lindin në këto takime, por jo vetëm në këto takime, por edhe tryeza që ne i kemi organizuar dhe do të organizojmë, janë të gjitha brumë për bukën e së nesërmes. Janë të gjitha të vlefshme për sfidën ku ne do të analizojmë materialin që po mbledhim në të gjithë Shqipërinë, për të ndërtuar me të programin e ri për të ardhmen",- u shpreh Rama, gjatë bashkëbisedimit me banorët e kësaj zone. Për të vënë në jetë programin e së nesërmes, kreu i selisë rozë shprehu edhe një herë nevojën për një bashkim të ri të të gjithë shqiptarëve, përtej ngjyrave politike që përkrahin apo përfaqësojnë. "Na duhet një politikë që është përtej të majtës dhe të djathtës së vjetër, që edhe pse ka vetëm 17 vjet, që bubërrojnë në realitetin tonë, janë tashmë tërësisht jashtë realitetit tonë. Janë tashmë tërësisht të papërdorshme, për t'i dhënë një pamje të re realitetit tonë, një pamje të re rrugës të njerëzve tanë drejt të ardhmes, një pamje të re perspektivës së fëmijëve tanë. Unë ju siguroj se, nuk ka asnjë dyshim se së bashku ne mund të bëjmë të mundura të gjitha gjërat, që sot duken të pamundura. Së bashku ne mund të realizojmë atë ndryshim të rrugës së 17 vjetëve, që të na bëjë që të dalim në një rrugë të re",- u shpreh kryesocialisti, Edi Rama. Ndërkohë që duke iu përgjigjur interesit të bashkëbiseduesve për lëvizjen e ish-kryetarit, Fatos Nano, Rama është shprehur se ai përbën tashmë një kapitull të mbyllur. "Nano përbën një kapitull të mbyllur, kapitull që u mbyll më 2007-ën. Dua të theksoj edhe një herë se një politikë e re, ka nevojë për një moral të ri",- u shpreh kreu i PS-së, Edi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›