Vdekja nga meningjiti, të afërmit shmangin varrimin
Varroset në Durrës Marie Reka. Fqinjët e të afërmit: Ajo nuk kishte asnjë sëmundje tjetër përveç meningjitit
DURRËS- Vdekja e pacientes së parë nga sëmundja e meningjitit ka sjellë edhe frikë në zonën ku ajo banonte, lagjen numër 13 të qytetit të Durrësit. Mëngjesin e djeshëm është bërë varrimi i 55-vjeçares Marie Reka por ai është braktisur nga një pjesë e madhe e familjarëve dhe fqinjëve të saj. Ata kanë deklaruar se kanë frikë nga përhapja e sëmundjes si dhe kanë kundërshtuar pohimet e mjekëve të kryeqytetit, të cilët janë justifikuar se gruaja 55-vjeçare vuante prej kohësh nga një sëmundje gjaku dhe pikërisht kjo i shkaktoi edhe vdekjen. Banorët kanë kërkuar më shumë kujdes nga mjekët në kurimin e kësaj sëmundjeje si dhe kanë kërkuar që të kryhet një verifikim në të gjithë zonën për të parë nëse ka apo jo të sëmurë të tjerë me meningjit.
Marie Reka është shpënë dy ditë më parë me urgjencë në Tiranë nga spitali i Durrësit me shenjat tipike të meningjitit, por nuk ka mundur të mbijetojë. Gruaja 55-vjeçare ka ndërruar jetë pasditen e të martës në spitalin infektiv të kryeqytetit duke mos dhënë asnjë reagim nga trajtimi intensiv që i bënë mjekët specialistë. Edhe pse nga mjekët e Durrësit ajo u transportua me dyshimet e qarta për prekjen nga meningjiti, mjekët e infektivit në Tiranë deklarojnë se pacientja nuk ka vdekur nga kjo sëmundje. Sipas burimeve zyrtare nga spitali ku humbi jetën gruaja mësohet se nga një ekzaminim i shpejtë që iu bë lëngut të palcës nuk rezultoi të ishte meningjit. Por fqinjët dhe të afërmit e saj e mohojnë këtë gjë. "Maria ishte një grua e mirë dhe nuk vuante nga asnjë sëmundje. Ajo mund të ketë pasur shumë halle e probleme kohët e fundit për shkak të disa fatkeqësive familjare por ajo nuk ishte e sëmurë. Në asnjë rast nuk kishte shkuar në spital që të kurohej për sëmundje gjaku apo sëmundje të tjera. Rreth një javë më parë asaj i hipi temperatura dhe të gjithë kujtuan se ishte grip. Më pas temperatura u bë shumë e lartë dhe ajo u dërgua në spitalin e Durrësit. Nëse Maria do të kishte ndonjë sëmundje tjetër, patjetër që ne do ta dinim",- thanë dje fqinjët e saj në lagjen numër 13 të Durrësit.
Ata dhe një pjesë e të afërmve janë përpjekur që të qëndrojnë sa më larg shtëpisë apo vendit ku u varros gruaja 55-vjeçare. Të trembur nga përhapja e sëmundjes ata kanë braktisur funeralin duke këshilluar edhe fëmijët që të mos i afrohen shtëpisë. "Kishim frikë që të shkonim në varrim pasi kemi dëgjuar se sëmundja përhapet shumë shpejt. Edhe fëmijëve u kemi thënë të mos shkojnë atje",- thotë një nga banorët e lagjes periferike të Durrësit, e cila është frikësuar nga ajo që ka mësuar këto ditë për sëmundjen e rëndë. Nga ana tjetër, edhe vetë mjekët që pohuan se ajo nuk ka vdekur nga meningjiti, kanë nisur depistimin e të gjithë të afërmve të saj. Burimet pohuan se familjarët e viktimës do të mbahen nën vëzhgim konstant, edhe pse deri tani asnjë prej tyre nuk ka shfaqur shenja të meningjitit.
Dyshimi, 55-vjeçarja infektoi fëmijën
DURRËS- Frika e të afërmve dhe fqinjëve të 55-vjeçares nga Durrësi që gjeti vdekjen dy ditë më parë nga meningjiti është "ushqyer" edhe nga fakti që një fëmijë gjashtëvjeçar, i cili banon pranë familjes Reka, dyshohet se është prekur nga sëmundja e rrezikshme. Mesditën e së martës në spitalin e Durrësitështë paraqitur një tjetër rast me shenjat e dyshimta të meningjitit. "Në urgjencën e spitalit u paraqit gjatë orëve të mesditës një fëmijë 6-vjeç, që shfaqte shenjat tipike të sëmundjes me temperaturë të lartë e dhembje të forta koke",- thanë dy ditë më parë mjekët. Sipas tyre, fëmija me inicialet F.M, është banor në të njëjtën lagje me 55-vjeçaren. "Djali po mbahet nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë që i është nënshtruar karantinës. Për momentin mund të themi se kemi të bëjmë me një rast të dyshimtë, nisur nga simptomat që shfaq fëmija",- thonë mjekët, që ende nuk janë të sigurtë nëse është apo jo meningjit. Fakti që ai është në një lagje me pacienten e sëmurë ka shqetësuar banorët e lagjes në Durrës, të cilët i tremben tashmë mundësisë së përhapjes së meningjitit nga njëri tek tjetri.
PRECEDENTËT
Pogradec
Për herë të parë për këtë vit sëmundja e meningjitit është zbuluar në spitalin e Korçës më datë tre janar. Dy motra nga rrethi i Pogradecit, babai dhe një i afërm i tyre, kanë përfunduar në karantinë, pasi mjekët konfirmuan se ishin prekur nga meningjiti. Trëndafile Krasta, 25-vjeçe, dhe motra e saj, Esmaja, 22-vjeçe, janë mbajtur gjatë këtyre ditëve nën vëzhgim të rreptë e bashkë me to gjithë spitali.
Delvinë
Rasti i dytë i sëmundjes së meningjitit është zbuluar në spitalin e Gjirokastrës. Bëhet fjalë për një vajzë trevjeçare, e cila mësohet se është prekur nga shkalla më e rëndë e kësaj sëmundjeje ngjitëse. Trevjeçarja Eljana Alinani, banuese në qytetin e Delvinës, është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal "Omer Nishani" në Gjirokastër dhe më pas është dërguar për kurim në kryeqytet.
Skrapar
Më datë dhjetë janar është shënuar një tjetër rast i meningjitit, i cili ka përfunduar tragjikisht. Anila Memushaj, 25-vjeçare, lindur në fshatin Kalanjë të Çorovodës, jetonte në shtetin grek, në lagjen Gizi, pranë Kipselit, në Athinë ka vdekur nga meningjiti në Athinë teksa kurohej për grip të thjeshtë. Gruaja ishte shtatzënë dhe pas vdekjes mjekët shqiptarë kanë vënë të gjithë fshatin në karantinë
Pukë
Më 12 janar është shënuar një tjetër rast meningjiti dhe këtë herë në Pukë. Një 18-vjeçare, nxënëse në vitin e tretë të shkollës së mesme në Pukë, ka rezultuar e infektuar me mikrobin e meningjitit dhe është dërguar për ndihmë të specializuar në spitalin infektiv në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare nga spitali i Pukës, vajza e identifikuar me sëmundjen e meningjitit quhet Arjana Dunga dhe është 18-vjeç
Tropojë
Në datën 13 janar shënohet një tjetër rast me meningjit në Tropojë. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik në Tropojë, Ramiz Kërnaja, 6-vjeçarja A. K u paraqit në spitalin e Tropojës ku u paraqit me meningo-koksemi dhe u përcoll në spitalin e Tiranës për shërim më të specializuar.
Burrel
Rasti tjetër i sëmundjes së meningjitit u shënua në Burrel. Sipas të dhënave nga spitali rajonal me shenjat e sëmundjes u paraqit një burrë 35-vjeçar. Pacienti ishte nga Klosi dhe kishte pak ditë që shfaqte shqetësimet tipike të sëmundjes. Pas vizitës së parë dhe dyshimit, mjekët e transportuan në Tiranë
Fier
I pari rast i meningjitit në Fier u konstatua në një fëmijë 3-vjeçar. Djali pas një gjendjeje të zgjatur gripale, shfaqi njollat në lëkurën e trupit, fakt që i bëri mjekët rajonalë ta nisin me urgjencë drejt Tiranës. Nga spitali rajonal ai u dërgua në gjendje të rënduar shëndetësore
Kopshti, ku shkonte fëmija me meningjit prej dy ditësh është bosh. Parësori: Panik i kotë, s'ka sëmundje
Frika nga meningjiti, braktiset kopshti në Fier
Fier-Braktiset nga fëmijët kopshti numër tre në lagjen "Kastriot" në qytetin e Fierit. Pas diagnostikimit të sëmundjes së meningjitit tek djali 3-vjeçar që frekuentonte kopshtin, prindërit të alarmuar nga mundësia e përhapjes së sëmundjes kanë preferuar t'i mbajnë fëmijët në shtëpi. Prej dy ditësh, kopshti me drekë, ku shkonte fëmija Athanas Davidhi është në qetësi të plotë. Më parë, këtu sipas edukatoreve vinin përditë 130 fëmijë, ndërsa tani nëpër dhoma janë vetëm edukatoret. Ata tregojnë se vendimi është marrë nga vetë prindërit, të cilët janë shprehur të terrorizuar pas lajmit për praninë e sëmundjes tek një fëmijë i kopshtit, i cili, pas një kohe trajtimi në shtëpi, u zbulua me meningjit dhe më pas u dërgua në gjendje kritike për jetën në spitalin Infektiv të Tiranës. Dje, të dy katet e kopshtit ishin thuajse të boshatisura. Sipas drejtoreshës së kopshtit, Erjona Xhafa, dje janë paraqitur vetëm 5 fëmijë. "Janë prindërit që nuk kanë pranuar t'i sjellin fëmijët, për shkak të situatës së krijuar"- thotë ajo, e pyetur për zbrazëtinë e ambienteve. Sipas saj, drejtoria ka marrë konfirmimin zyrtar nga Drejtoria e Shëndetit Parësor, që gjithçka është pa probleme. Të njëjtën gjë e saktëson edhe shefja e shërbimit të epidemiologjisë pranë Drejtorisë së Shëndetit Parësor, në Fier, Anila Moci. "Kopshti është në rregull dhe nuk ka asnjë lloj problemi sa i përket sëmundjes së meningjitit. Për këtë janë bërë dezinfektime për të qenë në rregull me masat parandaluese të sëmundjes. Por themi se gjithçka është normale dhe nuk ka asnjë lloj emergjence apo pasigurie në këtë kopsht"- thotë ajo. Sipas saj nga Instituti Shëndetit Publik dhe mjekët e QSUT-së, me të cilët kanë qenë në lidhje të vazhdueshme, rasti i fëmijës në fjalë nuk është meningo koksike. "Kopshti nuk është i mbyllur, por nuk ka funksionuar nga mos ardhja e fëmijëve"- sqaron ajo. Aktualisht i gjithë personeli është në punë dhe për këtë është bërë proces verbali përkatës. Në të, drejtoresha lë të lexosh se ai është plotësisht i frekuentueshëm dhe nuk paraqet rrezik. Sipas Erjona Xhafajt, drejtoreshës së kopshtit, fëmija 3-vjeçar, ditën e premte kur ka qenë në kopsht nuk ka qenë i sëmurë. Ai është shtruar në spital ditën e shtunë. Ndërsa thotë këto, ajo fton fëmijët dhe prindërit të vijojnë normalisht frekuentimin