Administratori i Al Kadi në Çad, merr leje në gjyq
TIRANE - Hamzeh Abu Rayan, jordanezi për të cilin po zhvillohet një proces gjyqësor tek Gjykata e Krimeve të Rënda, lejohet të udhëtojë drejt Jordanisë për 10 ditë. Vendimi është dhënë dje nga kryesuesi i pesëshes, që shqyrton çështjen në ngarkim administratorit të bizneseve të sheikut arab Al Kadi në Shqipëri, gjyqtari Sandër Simoni. Në seancën e djeshme, Abu Rayan i kanë kërkuar gjykatës të drejtën për të udhëtuar drejt qytetit Aman të Jordanisë, për të vizituar të ëmën, e cila ishte në një gjendje të rëndë shëndetësore. Në seancë nga ana e jordanezit ishte paraqitur epikriza e firmosur nga autoritetet spitalore të spitalit jordanez ku po kurohet e ëma e Abu Rayan. Ndërsa edhe pala e akuzës ka qenë dakord me kërkesën, gjykata ka vendosur pranimin e saj. Po në sallën e gjyqit, Abu Rayan ka marrë pasaportën e tij, të cilën duhet ta kthejë menjëherë pas ardhjes në Shqipëri. Pasaporta e tij ishte bllokuar nga gjykata, si masë shtrënguese për të mos lejuar jordanezin që t'i shmangej hetimit dhe më pas gjykimit. Bëhet e ditur se gjykata i ka dhënë edhe një vit më parë leje, jordanezit Abu Rayan, leje e cila është respektuar prej tij. Hamzeh Abu Rayan akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për "Fshehje të fondeve dhe pasurive të tjera ndaj të cilëve zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit". Sipas organit të akuzës Abu Rayan, në funksionin e administratorit të bizneseve të sheikut Al Kadi, ka vjelë qira të objekteve edhe pse ato ishin të bllokuara. Po sipas akuzës, në vijim paratë e fituara nga bizneset e Al Kadi, i shënuar nga OKB dhe SHBA si financues i terrorizmit, transferoheshin në llogari bankare të paidentifikuara. ar.ba