E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-zyrtari i Ministrisë së Brendshme 1.2 mln lekë gjobë

 

TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje të dënonte me një vit burg dhe 5 milionë lekë të vjetra gjobë ish-zyrtarin e Ministrisë së Brendshme Shefik Gjata. Ky u gjet fajtor për përfitimin e një ryshfeti 1.2 milionë lekë të vjetra nga një biznesmen, i cili kreu punime konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme në bregdetin e Durrësit. Seancën e parë të procesit, gjykata i pranoi zyrtarit të prokurimeve kërkesën për aplikimin e gjykimit të shkurtuar, sipas të cilit ai përfiton ulje të një të tretës së dënimit. Gjykata argumentoi dje se nga shqyrtimi i materialeve që ka dorëzuar organi i akuzës është vërtetuar se Gjata, i arrestuar në fund të tetorit të vitit të kaluar, është kapur në flagrancë, pas denoncimit të biznesmenit, të cilit i kishte marrë shumën prej 1.2 milionë lekësh. Sipas gjykatës në vitin 2006 një firmë ndërtimi kishte fituar tenderin për rikonstruksionin e konvaleshencës së policisë në Durrës, punime që do të konsistonin në lyerjen e fasadës dhe ndërrimin e dritareve. Kjo firmë ka pajtuar si nënkontraktuese një firmë tjetër, e cila ka përfunduar punimet. Pas përfundimit të punimeve, Gjata nuk i ka marrë dorëzim ato, por edhe nuk i ka kundërshtuar duke i kërkuar biznesmenit t'i jepte ryshfet. Pas denoncimit të bërë nga biznesmeni, është vënë në përgjim celulari i Gjatës dhe më pas ai është prangosur në afërsi të stadiumit "Dinamo", teksa mbante në xhep paratë që i kishte ofruar biznesmeni. Po kështu gjatë gjykimit të çështjes është vërtetuar nga gjykata se Gjata kishte folur paraprakisht në celular me biznesmenin me të cilin kishte lënë takimin, që nënkuptonte marrjen e parave të ryshfetit. Seancën e mëparshme të procesit, prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të së arrestuarit Gjata dhe dënimin e tij me tre vjet burg nën akuzën e "korrupsionit", ndërsa vetë i pandehuri dhe mbrojtja e tij kërkuan pafajësi, duke mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës. Ata pohuan se hetimet ishin të paplota dhe se me to vërtetohej pafajësia. Dje, gjykata vendosi lirimin e tij nga qelia, nëse ndaj tij nuk kishte masë tjetër sigurie, pasi nga përllogaritja e kohës së paraburgimit dhe lehtësive të tjera ligjore, duhej të shuhej masa e sigurisë.                     fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›