E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administratori i pallateve, detyrim për të gjithë banorët



Çdo pallat i vjetër apo i ri do të ketë të detyrueshëm praninë e administratorit të pallatit, të cilit do t’i lidhet një pagë mujore. Administrimi i pallateve është një metodë e re që është praktikuar vitet e fundit dhe vetë banorët e konsiderojnë të rëndësishëm, pasi ai merret me të gjitha problemet e pallatit.
Kështu, qytetarët që jetojnë në ndërtesa të përbashkëta banimi, qofshin këto të ndërtuara përpara apo pas viteve ’90, janë të detyruar që në bazë të projektligjit të ri për administrimin e objekteve të banimit, të paguajnë për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta. Kjo nënkupton që tani nuk do të ketë pastrime apo mirëmbajtje individuale, por në hyrje të çdo pallati do të kemi një administrator. Detyra e tij do të jetë mirëmbajtja e ambienteve tona të përbashkëta, duke nisur nga gjelbërimi, pastrimi i shkallëve, sistemet elektrike apo hidraulike, ashensori, gjeneratori në rastet kur ka, garazhet, parkimet kolektive në oborret e lagjeve, kanalizimet, kolonat e shkarkimit, oxhakët, sistemet e gazit ose të formave të tjera të ngrohjes. Bërja e mundur e kësaj nisme të re, e propozuar nga Ministria e Transporteve, më parë kërkon regjistrimin e administratorëve pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku ndodhet dhe ndërtesa e banimit. Tarifa e mirëmbajtjes për secilin banor ose bashkëpronar të pallatit përcaktohet bazuar në shpenzimet e administrimit dhe në kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi të pronarëve të njësive. Në bazë të draftit, organet e qeverisjes vendore mund të mbështesin bashkëpronarët me të ardhura të ulëta me financime ose duke vënë në dispozicion personelin teknik.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›