E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e ekonomisë dhe 13 vjet besim



Albert Gjoka

Teksa e gjithë bota është kapluar nga kriza, e cila ka nxjerrë nga tregu i punës miliona njerëz dhe ka falimentuar mijëra biznese; kur bizneset në Shqipëri kanë hyrë në vitin e tyre më të vështirë, qysh prej vitit 1997, apo kur shqiptarët i kanë xhepat e tyre më të varfër se asnjëherë tjetër, qeveria “Berisha” i ka mbyllur veshët me dyllë. Ajo po jeton në ëndrrat e luksit, të cilat i përkthen dhe i shet elektoralisht për të vërteta te shqiptarët.
Përkundër realitetit virtual, të prezantuar nga qeveria “Berisha” përmes spotesh, mitingjesh dhe projektesh miliardëshe, të cilat janë ende në letër, ka një pamje tjetër, e cila u përgjigjet shenjave të konceptit të krizës në literaturën ekonomike: “Rënie e prodhimit, papunësi e lartë, nivel të ulët të çmimeve, të pagave, të normave të interesit dhe fitimit…”.
Shenjat
Dërgesat e emigrantëve gjatë vitit 2008 kanë qenë 13% më të ulëta, ndërsa në vitin 2009 ata do të sjellin në familjet e tyre rreth 200 milionë euro më pak. Sikur të mos mjaftojë kjo, ata rrezikojnë vendet e punës dhe jetesën e tyre për shkak të krizës që ka mbërthyer vendet ku jetojnë dhe punojnë. Dy shtetet më të rrahura nga emigracioni legal dhe ilegal shqiptar, Greqia dhe Italia, janë në momentet e tyre më kritike. Vetëm në dy muaj e parë të këtij viti kanë dalë të papunë më qindra e mijëra veta, ku ndër më të ekspozuarit ndaj rrezikut janë emigrantët shqiptarë. Problemet e ekonomisë greke dhe italiane janë probleme dhe të ekonomisë shqiptare, pasi ato tashmë janë pjesë e një zinxhiri të integruar të ekonomisë rajonale dhe globale. E keqja e fqinjëve, tashmë është edhe e keqja e jonë.
Shoqata e Ndërmarrjeve Fasone njoftoi se ka nxjerrë të papunë të paktën 10 mijë veta, ose 8 apo 9% të shqiptarëve të punësuar në industrinë e ri-eksporteve. Të njëjtat halle kanë edhe industria e mineraleve, të drurit, e deri tek fshatari i shkretë, të cilit po i kalben prodhimet bujqësore dhe po mbetet pa shitur qumështi për shkak të mungesës së fuqisë blerëse, qoftë në fshat, qoftë në qytet. Sektori i ndërtimit ka dhënë alarmet e kolapsit që prej fillimit të vitit të kaluar, pasi me mijëra apartamente nuk mund të blihen më as nga emigrantët që jetojnë në vendet e pasura të Perëndimit. Me qindra firma ndërtimi kanë përzënë punonjësit e tyre, duke kyçur makineritë dhe mbyllur kantieret. Papunësia është rritur me të paktën 1%, përkundër të dhënave të INSTAT-it, të cilat nuk ndryshojnë asnjëherë.
Por vetë institucioni, që mohon me shifra krizën, pohon se ka një ulje të ndjeshme të importeve dhe eksporteve, të cilat përkthehen në më pak fitime për biznesin dhe më pak të ardhura në arkën e shtetit sesa vitin e kaluar. Pagat apo të ardhurat tona, që kemi marrë deri dje, nuk kanë sot të njëjtën vlerë në tregun e konsumit për shkak të brishtësisë deri në lodhje të lekut në këmbimin me euron dhe dollarin.
Për ta bërë më të qartë situatën me shifra, ulja e rritjes ekonomike në shifrat deri në 3.7% do të thotë se do të jemi të paktën 2 deri në 3 për qind më të varfër.
Por veshët dhe sytë tanë kënaqen me projektet miliardëshe të qeverisë, për të cilat shpresojmë dhe duam të vijnë, ndonëse ajo nuk do t’ia dijë se edhe ata që do të hedhin paratë e tyre në Shqipëri janë të infektuar nga kriza në vendet e tyre dhe do të tkurrin apo ngrijnë përkohësisht planet në këto momente të vështira.
Pranimi
Duke mos u ndalur te pasojat e krizës dhe se si përkthehen ato në shifra konkrete, pasi askush nuk ia del dot në debatet a përballjet, publike apo informale, me drejtuesit politikë të kësaj qeverie, të bën përshtypje sjellja publike e artikuluar nga të gjithë faktorët dhe aktorët deri tani; e veçanërisht qeveria, e cila është përgjegjëse për taksat dhe përdorimin e parave tona. Përtej nënqeshjes apo mbiqeshjes së qeverisë, lexon ankth dhe frikë, si në vitin 1991, kur flitej për zbrazje hambarësh dhe ethe drithi. Rrokja e vonuar e problemit nga opozita tani duhet të kthehet në një betejë në Parlament, pasi nuk ka tribunë tjetër për të shtruar për diskutim. Faktorët e prekur duhet të artikulojnë qartë kërkesat e tyre dhe të propozojnë paketat e shpëtimit, ndërsa shoqëria civile dhe veçanërisht grupet e ekspertizës, duhet të propozojnë skema zgjidhje, në mënyrë që edhe kësaj radhe fati i ekonomisë së vendit të mos mbetet tërësisht në duart e politikanëve profanë.
Rreziku
Kriza ekonomike dhe financiare nuk janë as tmerri dhe as faji i qeverisë, i maxhorancës apo opozitës. Nuk është as gabimi i kryeministrit Berisha. Ajo nuk u prodhua këtu, por na erdhi nga jashtë, si cunami, dhe të gjithë duhet të përballemi me të. Ajo është halli i të gjithëve dhe duke qenë i tillë, atë duhet ta zgjidhim të gjithë. Kriza është momenti për të vendosur. Pranimi i saj nga qeveria nuk është arma që kryeministri u dhuron kundërshtarëve për ta ekzekutuar atë vetë, sidomos në këtë periudhë parazgjedhore. Sfida më e mirë për qeverinë është ta pranojë atë dhe të propozojë skemat për zgjidhje; kjo është rruga më e mirë, qoftë për të hyrë në zgjedhje, qoftë për të pasur mundësi që të rimandatohet. Megjithëse është vonë, ajo duhet ta pranojë ekzistencën dhe rrezikun e saj në ekonominë dhe financat shqiptare. Refuzimi total nga ana e qeverisë nuk është mënyra më e mirë për të dhënë besim te shqiptarët në këtë situatë. Kjo, më së shumti, interpretohet si një pamundësi dhe paaftësi e këtij kabineti qeveritar. Një sjellje e tillë në këto pak muaj para zgjedhjeve do të sjellë vështirësi dhe pasoja të jashtëzakonshme për kabinetin e ri, që do të dalë pas 28 qershorit; dhe në këtë aspekt, të humbur do të jenë të gjithë, qoftë edhe një kabinet i mundshëm, i rimandatuar me zotin Berisha. Sot është koha të shtrohet për diskutim zgjidhja e krizës; të riaktivizohen burimet e fjetura, t’u jepet dora njerëzve dhe bizneseve në vështirësi, të mirëpërdoren fondet publike; të fitohet besimi duke e pranuar të vërtetën dhe ofruar zgjidhje për hallin e përbashkët. Nëse nuk bëhet një gjë e tillë, do të humbasim të gjithë.
Edhe në vitin 1996 u deklarua besim, por humbëm të gjithë.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›