E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia rikonstrukton Bllokun Nr.79 në kryeqytet



Bashkia e Tiranës rikonstrukton Bllokun Nr.79 në kryeqytet. Me një fond prej 324 211 137 lekësh nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, ka nisur rikonstruksioni i infrastrukturës në Bllokun 79, të kufizuar nga rrugët “Irfan Tomini“, Unaza e Re, Rruga e Kavajës, bulevardi “Bajram Curri“, në Njësinë Bashkiake Nr. 5.
Blloku Nr.79 ndodhet në pjesën jugperëndimore të qytetit të Tiranës dhe sipërfaqja që parashikohet të trajtohet është rreth 30 ha. Projekti i rikonstruksionit parashikon ndërtimin e 5.684 metrave linearë rrugë të brendshme. Gjerësia e rrugëve do të jetë 4 deri në 9 metra, me trotuare nga të dyja anët, të shtruara me pllaka betoni, me gjerësi nga 1 deri në 3 metra. Projekti i kanalizimeve parashikon ndërtimin e një rrjeti të ri kolektorësh dhe pusetash për ujërat e zeza dhe të bardha. Projekti i ndriçimit parashikon ndriçimin e rrugëve të brendshme të bllokut me shtylla metalike, me lartësi nga 5.5 deri në 8 metra. Pjesë e këtij projekti është edhe plotësimi i nevojave në rritje për sheshe parkimi për banorët e zonës si edhe për qytetarë të ndryshëm, të cilët gjatë ditës kryejnë aktivitete biznesi në këtë zonë. Për këtë arsye, projekti parashikon ndërtimin e shesheve shtesë të parkimit publik, për banorët e zonës, në zonat ku gjenden sheshe të lira. Krahas rehabilitimit të plotë të infrastrukturës rrugore të bllokut, parashikohet dhe krijimi i hapësirave të gjelbra. Po ashtu, projekti trajton gjelbërimin e sipërfaqeve përpara pallateve, duke i kthyer në lulishte e sheshe pushimi si dhe gjelbërimin e rrugëve me pemë dekorative.
Gjatë inspektimit të punimeve, për rehabilitimin e këtij blloku banimi, ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Edi Rama. “Kapitulli i vështirë i rehabilitimit të blloqeve të banimit po vazhdon të shkruhet me një punë të jashtëzakonshme, në një numër të konsiderueshëm blloqesh, siç është edhe ky bllok banimi, ku një sistem tërësor i ri kanalizimesh, ndriçimi, hapësirash publike po merr jetë dhe ku një tjetër pjesë e Tiranës po i bashkëngjitet trupit të Tiranës europiane. Kjo është rruga drejt së ardhmes, rruga e rindërtimit, rruga e punës, rruga e integrimit të të gjitha blloqeve të banimit në një qytet të vetëm, qyteti i së nesërmes europiane të fëmijëve tanë”, - u shpreh Rama.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›