E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH-i udhëzon shkollat që të pranojnë formularë deri më 25 mars



Maturantët, të cilët nuk kanë mundur ta plotësojnë ende formularin A1, mund ta dorëzojnë atë deri brenda datës 25 mars. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga burime në Ministrinë e Arsimit. Të njëjtat burime sqarojnë se drejtoritë arsimore mund të pranojnë formularë A1 dhe A1-Z edhe gjatë këtyre ditëve, pavarësisht se nuk është marrë asnjë vendim për shtyrjen e afatit për plotësimin e këtyre formularëve. Duke filluar nga dita e djeshme, Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore (KSHMSH) ka nisur plotësimin e tabelës “T” për përmbledhjen e të dhënave nga formularët A1, A1-Z. Ky proces duhet të përfundojë brenda datës 24 mars. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit ka vendosur që shkollat ta shfrytëzojnë këtë periudhë kohore para se të dorëzohen zyrtarisht formularët në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) për të pranuar ende formularë të tjerë. Sipas rregullores së Maturës, formularët e plotësuar A1, A1-Z dërgohen zyrtarisht nga KSHMSH-ja e shkollës në KMSH-në e DAR-it dhe ZA-së (“KMSH” i DAR/ZA është Komisioni i Maturës Shtetërore pranë DAR-it ose ZA-së) brenda datës 25 mars, së bashku me tabelën e plotësuar “T” përmbledhëse të të dhënave të formularëve. Më pas, KMSH-të e DAR-ve dhe ZA-ve hartojnë mbi këtë bazë listat e plota me të dhënat e të gjithë kandidatëve, sipas modelit të dërguar nga AVA, dhe i dërgojnë ato zyrtarisht dhe në formë elektronike, të ndara sipas shkollave, në AVA, brenda datës 31 mars.

Formulari A2, afatet për publikimin dhe plotësimin
MASH-i miraton deri më datë 1 prill:
Formularin A2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë).
Udhëzuesin e formularit A2. Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta duhet të plotësojnë edhe formularin A2 brenda datës 30 qershor dhe ta dorëzojnë atë në KSHMSH.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›