"Administrimi i banesave", miratohet ligji në Kuvend
Kuvendi miratoi me shumicë votash ligjin për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesat e banimit. Ky ligj vlerësohet si një ndër të paktët që nuk ka shkaktuar debate mes mazhorancës dhe opozitës. Nëpërmjet këtij ligji, qeveria përcakton të drejtat dhe detyrimet që qytetarët kanë për objektet e përbashkëta të banimit me më shumë se një pronar. Sipas ligjit, tashmë banorët e çdo pallati duhet të zgjedhin asamblenë dhe të caktojnë një administrator, i cili do të kujdeset për mirëmbajtjen e objekteve të përbashkëta. Në ligj përcaktohet që çdo ansamble do të përgatisë në fillim të vitit një paketë administrative, ku përcaktohet tërësia e shërbimeve për mirëmbajtjen dhe administrimin e pronës së përbashkët, si dhe kostoja përkatëse. Në paketë përfshihen sigurimi i bashkëpronësisë, shërbimet e pastrimit të shkallëve të brendshme, remontet e ashensorit, pagesat për mbrojtjen nga zjarri, mirëmbajtja e mjediseve të brendshme, fasadave etj. Tarifat për këto shërbime përcaktohen nga asambleja dhe do të paguhen nga qytetarët që banojnë në ndërtesën e banimit. Ligji e ka përcaktuar tarifën si një titull ekzekutiv dhe nëse ndonjë banor kundërshton pagimin e saj, atëherë ajo ekzekutohet nga Përmbarimi, duke marrë një objekt nga shtëpia e tyre.