Topi telefonon komandot në Afganistan
Pak ditë pas anëtarësimit me të drejta të plota në NATO, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njëkohësisht komandant i Forcave të Armatosura, zgjodhi repartin ku stërvitet Brigada e Reagimit të Shpejtë në Zallherr, për të uruar ushtarakët shqiptarë. Pas takimit me komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore, si dhe përshëndetjes së ushtarakëve, nënoficerëve dhe oficerëve të kësaj brigade, të cilëve u ka shprehur mirënjohjen për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, Presidenti zhvilloi një bisedë telefonike me komandantin e përgjithshëm, majorin Ferdinand Ziu, komandanti i efektivëve paqeruajtës shqiptar në Afganistan. Kreu i shtetit i shprehu përshëndetjet dhe urimet në emër të të gjithë popullit shqiptar, duke u interesuar njëkohësisht edhe për situatën dhe gjendjen e paqeruajtësve tanë. Kreu i shtetit i falënderoi ushtarakët tanë në Afganistan veçanërisht për kontributin e tyre të vyer në funksion të vendosjes dhe ruajtjes së paqes në atë rajon të trazuar të botës, duke i përgëzuar njëkohësisht edhe për profesionalizmin, disiplinën dhe besnikërinë e efektivëve shqiptarë në ushtrimin e detyrave të tyre ushtarake. "Dëshiroj t‘ju përshëndes me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për të gjithë kontributin tuaj të vyer në këtë rrugë integrimi, në këtë arritje të madhe të Shqipërisë, të institucioneve të saj dhe të Forcave të Armatosura", u shpreh Presidenti Topi. Duke u ndalur tek anëtarësimi në NATO, kreu i shtetit theksoi se "ky eveniment historik po na shoqëron me emocione të jashtëzakonshme, jo vetëm në prag të ceremonisë së aderimit në Strasburg dhe në Kel, por këto emocione po vazhdojnë ditë për ditë dhe jam i bindur që këto emocione nuk do të rreshtin kurrë". Në fund të vizitës, ai vlerësoi Forcat e Armatosura, duke vlerësuar se sot ata quhen profesionistë.