Debate në Kuvend për krizën ekonomike
Kriza ekonomike ishte një tjetër çështje e cila përplasi dje mazhorancën dhe opozitën në sallën e Kuvendit. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, akuzoi dje qeverinë se mban peng zhvillimin e Jugut të vendit, ndërsa theksoi se korrupsioni nga puna e pandershme po shkatërron tregun. Braçe akuzoi sakaq qeverinë se ka shkaktuar nivel të lartë të papunësisë dhe njerëzit janë të shqetësuar për varfërinë. "Guvernatori paralajmëroi krizën ekonomike dhe FMN-ja, po ashtu, shprehu shqetësimin e saj", u shpreh Braçe, i cili theksoi se qeveria nuk po reagon si duhet për situatën. Por deklarata e Braçes është kundërshtuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferri. Ai u shpreh se opozita i trembet rritjes së pagave, pasi kjo është linja e ndjekur nga qeveria deri më sot, ndryshe nga ajo që propozon pala tjetër për rritje të taksave. Ndërkohë që Braçe insistoi në faktin se rritjet e pagave nuk mund të bëhet me para të marra borxh, pasi qeveria nuk ka fonde. "Ne nuk jemi kundër rritjes së pagave, po ju nuk keni para për të bërë këtë veprim. Po ashtu nëse ka rritje pagash, kjo vjen si pasojë e taksave të gjithë qytetarëve që kontribuojnë me punën e tyre", sqaroi numri dy i grupit socialist.