Gjinushi: FMN frenoi mashtrimet e Berishës
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi u shpreh dje se alarmi i FMN-së për krizën ekonomike shoi entuziazmin e Kryeministrit për rritje ekonomike deri në 10 për qind. Gjatë një takimi në njësinë tre në kryeqytet, kreu i PS-së tha se FMN e detyroi të tërhiqej nga ky mashtrim. "Pas kësaj është shuar edhe entuziazmi tjetër që ai do ta mbyllte këtë 4-vjeçar me rritjen më të paparë të ekonomisë së vendit, ndërsa ai po e mbyll këtë 4- vjeçar me një parashikim tepër negativ për 2009, që rritja mund të jetë dhe 1 për qind, pra Shqipëria rrezikon të shkojë në stanjacion, çka nuk ka ndodhur kurrë që pas vitit ‘90", deklaroi më tej krye socialdemokrati. Ai vuri në dukje se grupimi i majtë ka treguar që ka aftësitë ta çojë përpara këtë vend, që ka aftësitë të qeverisë shumë më mirë dhe ta nxjerrë vendin nga kriza ku e ka futur qeveria aktuale. Prandaj, shtoi Gjinushi, mjafton kaq për të kuptuar domosdoshmërinë e ndryshimit, për të kuptuar se pse populli në shumicë dërmuese do të votojë për të majtën. "Por siç thashë, ne fitoren tonë nuk e mbështesim thjesht te dështimi i së djathtës, e mbështesim dhe tek aftësitë dhe te cilësitë që ofron e majta dhe PSD", nënvizoi kreu i PSD-së.