E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrimi i pallateve, të drejtat dhe detyrimet e banorëve dhe administratorëve



Bashkia e Tiranës shpërndan udhëzuesin praktik i cili përcakton mënyrën sesi duhen administruar pallatet, si dhe të drejtat dhe detyrimet e banorëve dhe administratorëve. Udhëzuesi, tregon procedurat për krijimin e asamblesë dhe cakton detyrat e banorëve dhe administruesve të pallatit. Për t’iu ardhur në ndihmë administratorëve dhe banorëve të çdo pallati Bashkia e Tiranës do të japë kontributin e tij me: paketë dokumentesh informuese, këshillime ligjore falas, aktet tip, inspektime për cilësinë e kushteve të jetesës, asistencë teknike, projekte për mirëmbajtjen dhe publikimin e Librit të Administratorëve dhe Regjistrimit të Bashkëpronësisë.

Udhëzuesi

Udhëzuesi për krijimin e asamblesë së pallatit përcakton rregullat e bashkëjetesës, rekomandon organizimin e strukturave të përbashkëta për administrimin e përbashkët të ndërtesës dhe përcakton rregullat për miradministrimin e saj. Banorët e çdo hyrjeje të pallatit ose pronarët e çdo njësie tregtare (nëse ka të tilla pallati) bëhet pjesë automatikisht e asamblesë. Nëse njëri prej pjesëtarëve të asamblesë ka diçka për të diskutuar me pjesëtarët e tjerë në lidhje me pallatin, me anë të një njoftimi tip që mund ta gjejë pranë bashkisë së Tiranës thërret mbledhjen e parë të asamblesë dhe fton të tjerët të marrin pjesë në të. Njoftimi ka të caktuar datën, orën dhe vendin ku do të mbahet asambleja si dhe informacionet bazë se çfarë do të trajtohet në mbledhje. Njoftimin duhet të afishohet në një vend lehtësisht të dukshëm të pallatit. Mbledhja e parë drejtohet nga banori më i madh i pallatit. Që mbledhja e parë e asamblesë të quhet e vlefshme duhet të marrin pjesë të paktën 2/3 e të gjithë banorëve të pallatit. Nëse pjesëtarët e pranishëm në mbledhjen e parë nuk përbëjnë pjesën më të madhe të të gjithë banorëve të pallatit, mbledhja quhet e dështuar dhe përsëritet njoftimi për një mbledhje tjetër. Këtë herë mbledhja është e vlefshme edhe nëse zhvillohet vetëm me banorët e pranishëm.

Skema

Administrimi i përbashkët i ndërtesave, rregulluar së fundmi ligjërisht, synon të krijojë organizime qytetare dhe komunitare, që do të zgjidhin nëpërmjet aktivizimit të vetë banuesve dhe bashkisë së Tiranës nevojat dhe problemet në ndërtesat ku banojmë. Për këtë duhet që: të gjithë banorët e pallatit të organizohen në strukturat e përbashkëta për administrimin e ndërtesës, të përcaktojnë nëpërmjet tyre, rregullat e bashkëjetesës dhe për përdorimin dhe mirëmbajtjen e përbashkët të ndërtesës. Të gjithë banorët e pallatit bëhen pjesë automatikisht e Asamblesë së Bashkëpronarëve e cila vendos për të gjitha çështjet kryesore të administrimit të përbashkët të pallatit. Kryesia që drejton këtë asamble menaxhon fondet e krijuara për administrimin e pallatit dhe përgjigjet përpara asamblesë për miradministrimin e pallatit. Kujdestari që caktohet nga vetë banorët, kontrollon cilësinë e punës së administratorit dhe siguron mbështetjen për të gjithë banorët në kërkesat e tyre për administrimin e pallatit. . Administrimin e pallatit ku jetojmë nuk mund ta bëjë çdokush në mënyrë individuale. Pallati, duke qenë një ndërtesë e përbashkët dhe pjesë të tij si: oborri, themelet, shkallët, ashensori, tarraca etj, i përdorim bashkërisht edhe mirëmbajtjen e tyre duhet ta kryejmë bashkarish. Pikërisht për këtë fakt Bashkia e Tiranës harton një udhëzues për krijimin e asamblesë së pallatit.

Të drejtat e banorëve

Të zgjedhësh /të zgjidhesh në strukturat e pallatit;
të kërkosh të mos cenojnë përdorimin dhe gëzimin e pjesëve të pandashme, si dhe dëmshpërblim apo ndreqje të dëmit;
të vendosësh vetë, për të gjitha çështjet që lidhen me shfrytëzimin dhe administrimin e pjesëve të përbashkëta;
të informohesh nga asambleja për vendimet e marra në mungesën tënde;
të informohesh rregullisht nga Kryesia për; Përdorimin e tarifës së administrimit, për mospagesën e tarifës së administrimit nga banorët e tjerë;
t’i parashtrosh asamblesë propozime për administrimin e ndërtesës së banimit.
të marrësh pjesë në forumet qytetare për administrimin e përbashkët të ndërtesave.

Detyrimet e banorëve

të respektosh normat e etikës dhe të bashkëjetesës, të përcaktuara në rregulloren e administrimit të ndërtesave;
të mos i pengosh banorët e tjerë në gëzimin e pjesëve të përbashkëta;
të paguash tarifën e administrimit dhe në rastet kur nuk banon apo e ke dhënë njësinë me qera;
të lejosh kryerjen e inspektimeve dhe të riparimeve të pronës së përbashkët brenda njësisë në pronën tuaj;
të kontribuosh në projektet dhe iniciativat e përbashkëta me natyrë komunitare. Administrimin e pallatit ku jetojmë nuk mund ta bëjë çdokush në mënyrë individuale. Pallati, duke qenë një ndërtesë e përbashkët dhe pjesë të tij si: oborri, themelet, shkallët, ashensori, tarraca etj, i përdorim bashkërisht edhe mirëmbajtjen e tyre duhet ta kryejmë bashkarish. Pikërisht për këtë fakt Bashkia e Tiranës harton një udhëzues për krijimin e asamblesë së pallatit.

Procesi i krijimit të asamblesë, vendimet, zgjedhja e drejtuesve të saj dhe e administratorëve të pallatit

Çdo pallat krijon një asamble. Në asamblenë e pallatit marrin pjesë banorët e çdo hyrjeje të pallatit dhe/ose pronarët e çdo njësie tregtare (nëse ka të tilla pallati).
Fillimi i procesit: çdo banor/pronar ka të drejtë të thërrasë mbledhjen e parë të asamblesë dhe të ftojë të tjerët të marrin pjesë në të.
Ftohen në mbledhje: të gjithë banorët/pronarët e apartamenteve të çdo shkalle dhe pronarët e dyqaneve/zyrave.
Njoftimin i parë bëhet duke: njoftuar të gjithë banorët/pronarët me anë të njoftimit tip për mbledhjen e asamblesë. Cakto orën dhe vendin e takimit. Afisho njoftimin në një vend të dukshëm të pallatit dhe/ose dërgoja të tjerëve në banesë. Në njoftim informo mbi çfarë do të trajtohet në mbledhje (rendi i ditës).
Njoftimin mund ta gjesh: Njoftimin tip mund ta gjesh pranë bashkisë së Tiranës.
Banorët që duhet të marrin pjesë në mbledhjen e asamblesë: mbledhja e parë e asamblesë është e vlefshme kur në të marrin pjesë jo më pak se 2/3 e të gjithë banorëve të pallatit. Është mirë që banorët të kenë një mjet identifikimi me vete.
Nëse nuk je i qartë me procedurat ligjore për krijimin e asamblesë dhe përgjegjësitë që mban, Bashkia e Tiranës i’u ofron shërbime ligjore pa pagesë edhe nëpërmjet Avokatit të Qytetit, Tel: 2243807
Nëse në mbledhje nuk vinë 2/3 e banorëve të pallatit: duhet të përsëritet njoftimi për mbledhje tjetër e cila caktohet për t’u zhvilluar mbas tre ditësh. Këtë herë kjo mbledhje është e vlefshme edhe nëse zhvillohet vetëm me banorët e pranishëm.
Nëse përsëri nuk vjen asnjë banor në mbledhjen e asamblesë: duhet të njoftohet Kryetari i Bashkisë nëpërmjet kërkesës tip dhe të kërkohet mbledhja e detyrueshme të asamblesë.
Mbledhjen e parë e drejton banori me moshë më të madhe në pallat.
Në mbledhjen e asamblesë diskutohet dhe vendoset: sipas propozimeve të marra nga vetë banorët e pranishëm, votohet dhe zgjidhet: a. Kryetari i Asamblesë, b. Kryesinë, c. Kujdestarin e pallatit. Gjithashtu diskutohet dhe vendoset për kontributin financiar që do të japë çdo familje, banore e pallatit, (tarifat) për mirëmbajtjen e pjesëve të pallatit në administrim të përbashkët.
Zgjedhja e kryetarit është dhe veprimi i parë i mbledhjes. Kryetari i asamblesë zgjidhet nga banorët e pranishëm duke votuar kandidatin sipas propozimeve të bëra nga ata vetë. Kryetari zgjidhet me 50%+1 të votave të banorëve të pranishëm dhe fillon punën menjëherë.
Veprimi i dytë i mbledhjes, zgjedh Kryesinë: edhe kryesia e asamblesë zgjidhet nga banorët e pranishëm duke votuar të gjithë kandidatët e propozuar në këtë mbledhje. Kryesia zgjidhet nga të gjithë banorët e pranishëm dhe përbëhet nga 1, 3 ose 5 antarët për ndërtesat deri në 50 njësi (aparat. etj) dhe 3, 5 ose 7 antarë për ndërtesat mbi 50 njësi (aparat. etj) Ky vendim dërgohet për regjistrim në bashki.
Nëse asambleja e morri vendimin, nëse i’u duhet Vendimi tip mund ta gjeni në Bashki.
Vendimi mund të plotësohet nga Kryetari dhe nënshkruhet nga antarët e pranishëm. Nëse ka paqartësi në ndihmë vjen Bashkia e Tiranës me anë të Avokatit të Qytetit ose Qendrës Operatore me Tel: 0800 0888 (pa pagesë).
Kryetari cakton njërin prej banorëve për të mbajtur proces-verbalin e mbledhjes ndërsa proces-verbali tip mund të gjendet pranë bashkisë së Tiranës.
Në proces-verbal shkruhet rendi i ditës, banorët e pranishëm në mbledhje, diskutimet, mënyra e votimit, vendimet e marra për secilën nga pikat e rendit të ditës. Në fund të mbledhjes ky proces-verbal nënshkruhet nga mbajtësi i tij dhe kryetari i Asamblesë.
Kryesia regjistrohet pranë bashkisë së Tiranës duke dërguar pranë Sektorit të Informimit Qytetar në bashkinë e Tiranës ose nëpërmjet postës. Vendimin e asamblesë në të cilin janë shënuar gjeneralitetet, adresa, numri i telefonit, fax, e-mail për të gjithë antarët e kryesisë, si dhe fotokopje të letër njoftimeve(ID) për secilin.
Nëse mbledhja e pronarëve zhvillohet por nuk merret asnjë vendim, njoftohet kryetari i bashkisë nëpërmjet kërkesës tip dhe kërkohet mbledhja e detyruar e banorëve dhe e pronarëve.
Nëse gjykohet e nevojshme nga banorët e pallatit emërohet dhe kujdestari i pallatit, nëse jo këto detyra i kryen kryetari i kryesisë.
Shërbimin e mirëmbajtjes së pjesëve të përbashkëta të ndërtesës e kryen Administratori, i cili mund të jetë person fizik (edhe njëri prej jush) ose person juridik, por në të gjitha rastet i organizuar në mënyrë të tillë që të kryejë punë me cilësi si dhe i regjistruar në Librin e Administratorëve pranë bashkisë së Tiranës. Për këtë më përpara duhet të lidhet me Administratorin një kontratë shërbimi.
1. Për t’u informuar nëse Administratori i zgjedhur prej jush është i regjistruar ose jo kontaktoni Qendrën Operatore të bashkisë së Tiranës në 0800 0888 ose shkruani në e-mail: bashkepronesia@tirana.gov.al.
2. Kontratën tip mund ta gjeni pranë bashkisë së Tiranës, në faqen e saj të internetit ëëë.tirana.gov.al ose dërgo e-mail në bashkepronesi@tirana.gov.al. Në ndihmë i’u vjen dhe Avokati i Qytetit, tel: 2243807
3. Bashkia e Tiranës do të asistojë asambletë e ngritura vullnetarisht, për organizimin dhe shërbimin e mirëmbajtjes dhe përmirësimin e pronës dhe mjedisit të përbashkët, nëpërmjet ndihmës teknike, financiare dhe mbrojtjes së të drejtave tuaja.
4. Për çdo paqartësi mund të kontaktosh sa herë të jetë e nevojshme në një prej mënyrave të caktuara më sipër.

13 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›