Meta: “Nuk kam dërguar asnjë letër kundër Withers-it”
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, mohon t’i ketë dërguar letër sekretares së Shtetit, Hilari Klintonit, kundër ambasadorit të SHBA-ve, John Withers. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje pas rikthimit nga turi i vizitave në Qipro, Siri dhe Liban, Ilir Meta, i pyetur nga gazetarët, u shpreh se ai mban kontakt të vazhdueshëm me SHBA-të dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira. Sipas zëvendëskryeministrit, ai nuk i ka dërguar asnjëherë letër ankimimi asnjë qeverie për ambasadorët e tyre me misione diplomatike në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, Meta nuk mohoi ekzistencën e letrës së marrë nga qeveria shqiptare nga ndihmëssekretari i shtetit për Çështjet Europiane, Filip Gordon. Sipas burimeve të televizionit “Top Channel”, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane, Filip Gordon, i ka dërguar kreut të Diplomacisë shqiptare një letër në lidhje me disa pakënaqësi të ngritura nga qeveria jonë për misionin e ambasadorit aktual, John Withers. Në këtë letër mësohet se Gordon ka shkruar se SHBA-të “kanë besim të plotë te ambasadori Withers dhe në punën që ai po bën për të çuar përpara marrëdhëniet tona dhe ndihmën për Shqipërinë në realizimin e potencialit të saj të plotë”.
Reagimi
“Më vjen shumë keq që kjo thatësirë që vjen nga koha, për fat të keq ka sjellë edhe një thatësirë për lajme, për të gjithë ata që duan ta mbushin atë me lajme të cilat janë spekulative. Puna ime si ministër i Jashtëm kërkon që unë çdo ditë të shkëmbej letra dhe mesazhe me Uashingtonin dhe me qendra të tjera të rëndësishme. Ndërsa për spekulimet në fjalë, as që nuk ia vlen që të merrem me to. Sidoqoftë, mund t’ju them se nuk ka asnjë letër zyrtare drejtuar cilitdo shtet jashtë ku të jemi ankuar për ndonjë ambasador apo diplomat këtu në Shqipëri. Por, është e drejta e kujtdo të prodhojë lajme”, - është shprehur Meta, duke rrëzuar poshtë çdo aludim se ai dhe qeveria shqiptare kanë dërguar letër kundër ambasadorit amerikan, Withers. Sipas Metës, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve kanë qenë, janë dhe do të vazhdojnë të jenë shumë të mira. Ai gjithashtu bëri të ditur se me ambasadorin Withers janë ndarë me shumë dashuri me idenë për t’u ritakuar në të ardhmen. “Vlerësimet janë maksimale për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është aleati ynë kryesor strategjik. Marrëdhëniet kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithnjë e më të shkëlqyera. Marrëdhëniet me ambasadorin Withers kanë qenë shumë të mira. Sapo kemi pasur një darkë lamtumire përpara se të nisja këtë tur vizitash në Lindjen e Mesme dhe jemi ndarë me shumë dashuri me njëri-tjetrin për t’u ritakuar së shpejti”, - është shprehur ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Meta.
Mesazhi
Top Channel publikoi një natë me parë letrës që ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane, Filip Gordon, i ka dërguar qeverisë shqiptare në përgjigje të ankesave të kësaj të fundit për deklaratat e bëra nga Withers. Në këtë letër mësohet se Gordon ka shprehur mbështetjen e deklaratave të përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-ve. “Sekretarja e Shtetit dhe unë kemi besim të plotë te ambasadori Withers dhe në punën që ai po bën për të çuar përpara marrëdhëniet tona dhe ndihmën për Shqipërinë në realizimin e potencialit të saj të plotë. Përkushtimi i tij ndaj idealeve të demokracisë dhe shtetit ligjor përgjatë 26 vitesh shërbimi të shquar kanë luajtur rol thelbësor në arritjen nga ana e Shqipërisë të anëtarësimit në NATO dhe respektimit të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO”, - thuhet në letrën që publikoi Top Channel. Po ashtu, në këtë mesazh ngrihet shqetësimi për emërimet në gjykata: “Ne mbështesim një transparencë të plotë të procesit të emërimit dhe konfirmimit të gjykatësve”, - shkruhet në letër. Së fundi, në letër shprehet edhe shqetësimi për tejzgjatjen e krizës politike, e cila, sipas krerëve të Departamentit amerikan të Shtetit, po kushtëzon integrimin europian të Shqipërisë. “Ne besojmë se një zgjidhje e shpejtë e ngërçit politik do të lejonte Shqipërinë të vazhdonte të shënonte përparim në përmbushjen e objektivit të integrimit të plotë në komunitetin euroatlantik”, - shkruhet në letër.
Meta: “Kosova dhe njohja e saj, lajtmotiv në bisedimet në Qipro, Siri e Liban”
Pas kthimit nga turi i vizitave zyrtare në Qipro, Siri dhe Liban, zëvendëskryeministri njëkohësisht ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi se Kosova dhe zhvillimet më të fundit në rajon qenë në qendër të bisedimeve me autoritetet e larta të këtyre vendeve. Ministri Meta, duke iu referuar takimit që ka pasur me ministrin Plotësues të Punëve të Jashtme të Greqisë, Droutsas, në Athinë, tha se “shkëmbyem mendime dhe mirëkuptim për zhvillimet më të fundit në rajon, por edhe në tërësi për perspektivën e çështjes së Kosovës, e cila pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pa dyshim ka hyrë në një fazë të re më të konsoliduar se më parë”. Ministri Meta theksoi se me zotin Droutsas “ndamë mendimin se pikërisht mënyra konstruktive e trajtimit jashtë çdo diference mes vendeve të rajonit, forcon rrugëtimin dhe perspektivën e përbashkët të të gjitha vendeve tona dhe patjetër që në këtë drejtim, edhe Axhenda 2014 e kryeministrit të Greqisë Papandreu, për integrimin europian të vendeve tona është një inkurajim i fuqishëm”. Ministri i Punëve të Jashtme, gjatë bashkëbisedimit me mediat theksoi se në vizitën në Qipro, një vend i BE-së që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, tha se në takimin me presidentin qipriot, Dimitris Kristofias, “ramë dakord se çështja e Kosovës është një rast unik dhe se nuk mund të hiqet asnjë paralele me raste të tjera. Përkundrazi, është një çështje që ka të bëjë me vullnetin jo vetëm të një populli të tërë, por njëkohësisht me një proces zinxhir të shpërbërjes së ish–Jugosllavisë, e cila nuk ekziston më prej kohësh, si dhe me legjitimitetin, që buron jo vetëm nga vullneti i shprehur për drejtësi, por dhe nga respektimi i akteve ndërkombëtare për Kosovën, si Rezoluta 1244 e OKB-së”, - deklaroi zëvendëskryeministri Meta.
Gjatë vizitës në Siri, zoti Meta theksoi se në takimin me presidentin e vendit, Bashar al-Assad, me të cilin u diskutua për situatën në rajonin e Ballkanit, në rajonin e Lindjes së Mesme, “mund t’ju them se ishte një takim nga i cili unë shpresoj shumë në të ardhmen edhe për një rivlerësim të çështjes së Kosovës nga ana e Sirisë, veçanërisht tani pas opinionit të dhënë nga GJND-ja”. Ndërkohë, tha Meta, “kam konfirmuar qëndrimin tonë për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Lindjen e Mesme, në përputhje me qëndrimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si dhe të BE-së”. Ministri i Punëve të Jashtme tha se edhe në Liban, ku pati takime me presidentin e vendit, Michel Suleiman, me kryetarin e Parlamentit, Nabih Berri, me homologun Dr. Ali Hussein Al Chami, por edhe me ministra të tjerë të qeverisë libaneze, “kemi rënë dakord për të nënshkruar së shpejti disa marrëveshje të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit ekonomik, ashtu sikurse kam kërkuar dhe nga ana e Libanit, njohjen e shtetit të Kosovës pas opinionit të GJND-së”. Ndërsa bëri me dije se me ministrin e Jashtëm të Qipros, kanë rënë dakord për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe, sidomos në fushën e ekonomisë dhe të arsimit, por edhe për mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve midis dy vendeve. Sipas Metës, në këtë kontekst në fushën e arsimit do të ketë një angazhim konkret për akordimin e bursave të konsiderueshme për studentët shqiptarë që dëshirojnë të studiojnë në universitetet e Qipros. Njëkohësisht ministri Meta tha se edhe me Sirinë do të nënshkruhen në një të ardhme të afërt disa marrëveshje, të cilat janë në proces negocimi përsa i përket fushës së arsimit, ashtu sikurse kemi vlerësuar se është e rëndësishme mbarëvajtja e komunitetit me origjinë shqiptare që jeton atje.
Bushati: “Letra e SHBA-ve është paralajmërim ndaj kryeministrit Berisha”
Partia Socialiste e ka cilësuar letrën e administratës amerikane si një paralajmërim ndaj kontrollit personal të institucioneve nga kryeministri Sali Berisha. Deputeti Ditmir Bushati, dje, në një deklaratë për shtyp, deklaroi se ankesat e qeverisë dëshmojnë një sharlatanizëm politik dhe mungesë sensi e përgjegjësie kombëtare. “Qëndrimet e ambasadorit në ikje Withers dhe atij në ardhje Arvizu në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri ngjasojnë si dy pika uji, pasi nuk janë qëndrime personale, por qëndrimet e aleatit kryesor të kombit shqiptar, SHBA-ve”, - nënvizoi Bushati. Ai theksoi se Partia Socialiste e Shqipërisë rishpreh vlerësimin e saj për kontributin e Ambasadorit Withers në çuarjen përpara të marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona dhe posaçërisht ndihmën e tij për Shqipërinë në procesin e demokratizimit dhe integrimit euroatlantik. Bushati shprehu besimin se bashkëpunimi SHBA-Shqipëri do të thellohet më tej në sajë të angazhimeve të konfirmuara në Senatin Amerikan nga Ambasadori në ardhje Aleksandër Arvizu. “Është e pafalshme që Sali Berisha me praktikat okulte të ‘96-’97-s, përdori Lulzim Bashën në 2008-n dhe Ilir Metën në 2010-n, respektivisht me administratën “Bush” dhe “Obama”, për t'u ankuar ndaj përfaqësuesve diplomatikë të SHBA-ve, të cilët kanë dhënë një ndihmë të pakursyer ndaj vendit dhe kombit tonë qysh nga ekzistenca e shtetit shqiptar. Këto veprime të qeverisë së Sali Berishës janë edhe më të dënueshme në kushtet kur roli gjeopolitik i shqiptarëve në rajon është rritur ndjeshëm, sidomos dekadën e fundit, falë mbështetjes së vyer të SHBA-ve”, - u shpreh Bushati. Në këto kushte, PS-ja i ka kërkuar ndjesë partnerëve tanë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Bushati nënvizoi se qeverisja e nesërme e PS-së do t’i japë fund këtyre luhatjeve të turpshme në raport me partnerin kryesor të kombit shqiptar, SHBA-të.
13 Gusht 2010