Zyrtarizohet nisma për referendum, Guri: “Qytetarët të vendosin për fletët”
Gjatë ditës së djeshme, grupi i qytetarëve që bënë kërkesë për referendum në lidhje me rinumërimin e fletëve të votimit, bënë të ditur se kërkesa e tyre vjen si dosmodoshmëri për t’i dhënë fund krizës së tejzgjatur politike. Një ndër nismëtarët e referendumit, Alban Guri u shpreh dje për mediat se kërkesa e tyre është e mbështetur në Kushtetutë që i jep të drejtën qytetarëve të organizojnë dhe të marrin pjesë në referendume për çështje të veçanta. Sipas tij organizimi i një referendumi për rinumërimin ose jo të fletëve të votimit do t’i japë fund krizës së tejzgjatur politike dhe do të shmangë destabilizimin e vendit. Grupi i nismtarëve depozitoi kërkesën për referendum pak ditë më parë në KQZ dhe sipas ligjit pritet që KQZ-ja t’i kthejë përgjigje zyrtare brenda 20 ditëve.
Kërkesa
Nismëtarët e kërkesës për referendum, thonë se ka ardhur koha që vetë shtetasit të vendosin për fatin e votës dhe se kërkesa e tyre rrjedh nga e drejta që u jep Kushtetuta. Ata gjithashtu theksojnë se janë në pritje të përgjigjes që duhet t’i japë KQZ-ja. Ata gjithashtu kanë hedhur poshtë spekulimet që janë bërë ditët e fundit se ata i përkasin forcave të ndryshme politike, duke theksuar se nisma e tyre vjen si qytetarë të thjeshtë, të cilët kërkojnë që t’i jepet fund ngërçit politik në vend dhe kjo nismë do të pasojë çështje të tjera. “Kushtetuta e Shqipërisë vë në dispozicion të shoqërisë shqiptar referendumin si një instrument për të shfryrë në mënyrë të kontrolluar këtë presion të lartë që është ndërtuar brenda sistemit tonë politik nga dështimet e negociatave”, është shprehur dje një prej nismëtarëve të kërkesës për referendum, Alban Guri. Në kërkesën e tyre drejtuar KQZ-së, firmëtarët shtrojnë tri pyetje që qytetarët në referendum duhet t’i përgjigjen me po ose jo. Këto pyetje janë: A duhet të rinumërohen fletët e votimit të zgjedhjeve parlamentare të 2009-tës? A duhet rinumërimi të bëhet nga shoqëria civile?
A duhet që rinumërimi të bëhet nga KQZ-ja?
Kushtetuta
Sipas nenit 150 “populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë”.
Kushtetuta parashikon që “çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum. Referendumi për të njëjtën çështje nuk mund të përsëritet përpara se të kenë kaluar tre vjet nga zhvillimi i tij”. Në nenin 152 të Kushtetutës parashikohet mënyra e shqyrtimit të kërkesës për referendum. “Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum sipas nenit 150 paragrafët 1 e 2, nenit 151 paragrafët 2 e 3 edhe sipas nenit 177 paragrafët 4 e 5 brenda 60 ditëve.
Rëndësia e çështjeve të veçanta, të parashikuara në nenin 150 paragrafët 1 e 2 nuk është objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese. Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej. Gjatë vitit referendumet zhvillohen vetëm në një ditë”, shkruhet në Kushtetutë.
Qëndrimi
Berisha: “Nuk ka negociata për kutitë e fletëve të votimit”
Gjatë një konference për shtyp të zhvilluar pak ditë më parë kalaja e Himarës kryeministri Berisha u shpreh në mënyrë të prerë si maxhoranca që ai drejton nuk do të zhvillojë negociata për hapjen e kutive të votimit dhe për kërkesën e Partisë Socialiste për rinumërimin e fletëve të votimit. Berisha u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën në frymën e rezolutës së Parlamentit Europian që parashikon hetimin e materialeve zgjedhor dhe jo të fletëve të votimit. Kreu i ekzekutivit përsëriti qëndrimin e kahershëm të maxhorancës se kërkesa e Partisë Socialiste për rinumërimin e votave bie në kundërshtim më Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Ka një rezolutë të Parlamentit Europian. Unë mbetem për zbatimin e saj germë për germe dhe në frymën e saj totale. Rezoluta përcakton qartë se çfarë duhet të hetohet dhe unë i qëndroj plotësisht asaj, i qëndroj plotësisht ligjeve dhe kushtetutës së vendit. Shqipëria nuk mund të bëhet dhe zhbëhet. Shqipëria bëhet vetëm duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e saj dhe duke i përmirësuar ato, jo duke i shkelur. Mendoj se rezoluta ka përcaktuar qartësisht hetimin e materialeve të votimit dhe nëse e keni ndjekur, ju duhet ta dini, ka pasur ndonjë deputet të thekur të majtë që kërkoi më shumë, por 547 deputetë europianë votuan për materialet e votimit, të cilat nuk përfshijnë fletët e votimit. Të gjitha të tjerat, çka është në kuadrin ligjor, çka është në kuadrin kushtetues, qëndroj plotësisht i vendosur të bashkëpunoj me opozitën”, është shprehur kryeministri Berisha.
Meta: “Nuk ka ende negociata për zgjedhjeve vendore mes PD-së dhe LSI-së”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka bërë të ditur dje për gazetarët se nuk kanë filluar ende negociatat mes LSI-së dhe PD-së për zgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor. “Nuk ka asnjë negociatë për zgjedhjet e ardhshme vendore sepse ka gjëra të tjera shumë më të rëndësishme. Gjithçka do të ndodhë në kohën e duhur e do të vendoset nga forumet përkatëse. Është shumë herët për këtë çështje duke qenë se jemi në procesin e liberalizimit të vizave. Nëse z. Luan Rama ka nisur negociatat, kjo është një çështje e tij”, është shprehur Meta. Vetëm pak kohë më parë sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama bëri të ditur se LSI-ja ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore. Meta më tej u përqëndrua në procesin e liberalizimit të vizave duke bërë të ditur se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat në këtë drejtim. “Procesi i liberalizimit të vizave do të marshojë në mënyrë të pandalshme. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat, të gjitha kriteret dhe Shqiptarët shumë shpejt, natyrisht të gjithë ata që janë pajisur me pasaporta biometrike, do të udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen. Meqenëse Qipro nuk bën pjesë në zonën Shengen, pavarësisht se është anëtare e BE-së, ramë dakord që menjëherë pas liberalizimit të vizave më BE-në, automatikisht e njëjta gjë do të arrihet edhe me Qipron përmes një marrëveshjeje dypalëshe”, është shprehur Meta.
Kodi Zgjedhor
Neni 138
Këqyrja e materialit zgjedhor
1. Për nevojat e hetimit administrativ, KQZ-ja kur ka pranuar kërkesën e palëve apo kur ka kërkesë të dy anëtarëve të saj, sipas parashikimeve të nenit 136 pika 3 të këtij Kodi, këqyr dokumentacionin dhe materialin zgjedhor që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore dhe/ose kutitë e votimit dhe fletët e votimit, si dhe çdo dokumentacion apo material tjetër zgjedhor. Kur materiali zgjedhor ndodhet brenda kutive me vula sigurie, hapja dhe rimbyllja e tyre bëhet sipas procedurave që parashikon ky Kod për hapjen dhe mbylljen e kutive, duke treguar dhe shënuar kodet me të cilat kutitë përkatëse janë mbyllur nga KZAZ-ja, si dhe numrat me të cilat ato mbyllen rishtazi.
2. Këqyrja e materialit zgjedhor bëhet në prani të palëve dhe publikut. Pas këqyrjes së materialit dhe/ose dokumentacionit zgjedhor, palët kanë të drejtë të paraqesin vlerësimet dhe pretendimet e tyre. Provat e gjetura paraqiten në procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së.
3. KQZ-ja, me kërkesë të palëve ose kryesisht, kur çmon se për dhënien e vendimit është i nevojshëm rinumërimi dhe/ose rivlerësimi i votave të caktuara, kryen, në praninë e palëve, rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave dhe pasqyron përfundimin në procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së dhe vendimin përkatës të saj. Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara.
4. Në rastin e kutive të votimit, të konstatuara si “KUTI TË PARREGULLTA” nga KZAZ-ja, sipas nenit 115 të këtij Kodi, KQZ-ja është e detyruar të kryejë një hetim administrativ. Hetimi nuk kufizohet vetëm në këqyrjen nga jashtë të kutisë, duke vlerësuar në tërësi faktet dhe rrethanat që kanë çuar në konstatimin e kutisë si “KUTI E PARREGULLT”, por edhe nëse këto parregullsi kanë ndikuar në materialin zgjedhor. Nëse KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të subjektit zgjedhor, shprehet me vendim se janë kuti të rregullta, KQZ-ja kryen numërimin fillestar të votave në këto kuti.
5. Vendimet e KQZ-së, sipas pikave 3 dhe 4 të këtij neni, mund të ankimohen së bashku me vendimin e KQZ-së.
Neni 178
Djegja e fletëve të votimit
5. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga KZAZ-ja, komisioni i dërgon KQZ-së, në mënyrën e caktuar prej saj, të gjitha kutitë e vulosura të votimit me procesverbalet e votimit, vulën e komisionit, fletët e votimit të përdorura në zgjedhje, si edhe fletët e votimit të papërdorura.
6. Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.
13 Gusht 2010