E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Admir Moisiu", dosja në përmbarim

 

Fatos Mahmutaj

Gjykata detyroi dje Prokurorinë e Për-gjithshme të kthejë dëmshpërblimin financiar lidhur me vdekjen e djalit të ish-presidentit Alfred Moisiu. Vendimi u dha pas padisë së bërë nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve. Gjykata e Tiranës shpalli dje vendimin për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, ndaj një vendimi të mëparshëm, sipas të cilit organi qendror i akuzës duhet të rikthejë mbrapsht në Byronë e Sigurimeve gjithë pagesat që përfituan trashëgimtarët e të ndjerit Admir Moisiu. Shuma e përfituar prej tyre dhe e kontestuar nga BSHS llogaritet në total në 75 milionë lekë të vjetra, të paguara 5 vite më parë. Rreth një muaj më parë, Byroja Shqiptare e Sigurimeve iu drejtua gjykatës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit pasi Apeli la në fuqi vendimin që i jepte BSHS-së të drejtën për të rimarrë paratë e paguara. Kërkesa e BSHS është depozituar në sekretarinë e gjykatës së kryeqytetit më datë 16 qershor dhe është regjistruar me numrin 2937. Objekti i padisë është: "nxjerrja e urdhrit të ekzekutimit të vendimit civil numër 4256, datë 12 maj 2008 të Gjykatës së Tiranës, i cili ka marrë formë të prerë, pasi Apeli e ka lënë në fuqi pak ditë më parë". E thënë ndryshe, kalimin e çështjes në përmbarim për të rikthyer shumën e paguar 5 vite më parë. Shorti elektronik i institucionit ka përzgjedhur gjykatësen Farie Burdo, e cila zhvilloi dy seanca gjyqësore për këtë çështje. Më datë 12 maj të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e BSHS-së për kthimin e shumës prej 7.505.215 lekësh të reja, e paguar nga ky institucion për vdekjen e të ndjerit Admir Moisiu dhe dëmtimet e shëndetit të punonjësit të Prokurorisë së Përgjithshme Rrahman Jata. Në vendimin e shpallur një vit më parë, nga Gjykata e Tiranës, i cili mori formë të prerë pak ditë më parë, rezulton se nga praktika i pagimit të dëmit, i dëmtuari Rrahman Jata dhe bashkëshortja e të ndjerit Admir Moisiu, i kanë drejtuar kërkesë për dëmshpërblim BSHS-së, institucion i cili më 16 qershor 2004 ka vendosur të dëmshpërblejë trashëgimtarët ligjorë të të ndjerit Admir Moisiu për vlerën 6.285.689 lekë dhe 1.916.175 lekë për sigurimet shoqërore dhe 1.219.526 lekë për të dëmtuarin Rrahman Jata, për dëm shëndetësor dhe paaftësi e përhershme në punë. Ndërkohë në muajin tetor 2004, këta persona kanë tërhequr shumat e akorduara nga BSHS. Ndërkohë më vonë ka rezultuar se mjeti motorik, me të cilin u shkaktua dëmi, nuk ishte i siguruar. Sipas BSHS, nga informacioni zyrtar që ka marrë nga tërë shoqëritë e sigurimit që operojnë në Shqipëri ka dalë që autovetura tip "Mitsubishi" me targë 358-E-659 nuk ka qenë e siguruar tek asnjë nga ato. Fakti është pranuar edhe nga vetë Prokuroria e Përgjithshme me një shkresë zyrtare më 15 shtator 2004. Makina ka rezultuar të ishte sekuestruar nga Prokuroria e Shkodrës më 19 mars 2003 dhe më pas kishte kaluar në pronësi të Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjykata: Prokuroria të kthejë 75 milionë
TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme është institucioni që do kthejë në BSHS shumën prej 75 milionë lekësh të vjetra. Nga shpjegimet në gjyq, prokuroria ka pranuar se punonjësit Artan Shijaku, Admir Moisiu e Rrahaman Jata janë nisur me shërbim për arsye shtetërore, por pa ndonjë urdhër të mirëfilltë nga eprori. Sipas ligjeve në fuqi është argumentuar se Prokuroria është përgjegjëse për dëmet e shkaktuara të tretëve nga punonjësit që ishin në shërbim të saj, gjatë ushtrimit të detyrave që u ishin besuar prej institucionit. Në proces Prokuroria dhe Avokatia e Shtetit kanë pohuar se tre viktimat nuk kanë disponuar urdhër për ditën e aksidentit që të udhëtonin në Gjirokastër. Sipas tyre, urdhri merrej nga sekretari i përgjithshëm, por për të vërtetuar këtë, përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme nuk dorëzuan në gjykatë asnjë autorizim të ndonjë rasti analog. Dy ditë para aksidentit, mjetit i ishin kryer shërbimet e nevojshme xhenerike dhe motorike në ofiçinën e prokurorisë, si dhe ishte pajisur me goma të reja një ditë para ngjarjes. Nisur nga këto fakte, gjykata ka provuar se nga ana e administratës së prokurorisë janë kryer veprime për vënien në qarkullim të mjetit të aksidentit.                                         f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›