Obama-Medvedev, ja pikat ku nuk u gjet kompromisi
Presidenti amerikan, Barak Obama dhe lideri i Kremlinit, Dmitry Medvedev, kanë rënë dakord të shkurtojnë arsenalin nuklear, dhe kanë nënshkruar një marrëveshje për të lejuar trupat amerikane të fluturojnë mbi territorin rus për në Afganistan, në ditën e parë të vizitës së Obamës, të realizuar me qëllim për të përmirësuar raportet mes vendeve të tyre. Presidenti Obama, para takimit u shpreh se priste një përparim të jashtëzakonshëm për një sërë çështjesh në takimin e nivelit të lartë të Moskës. Edhe homologu i tij, Medvedev parashikoi një diskutim të përgjithshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke hapur faqe të re për të ardhmen e vendeve të tyre. Sipas Reuters, dy vendet e kësaj marrëveshjeje zotërojnë 95 për qind të armëve nukleare të botës, janë zotuar të finalizojnë një traktat të ri armësh për të shkurtuar numrin e kokëve të raketave në 1500 deri në 1675, nga niveli aktual prej mbi 2200 të tilla; dhe të shtrat-hedhëseve të raketave nga 1600 në 500 deri në 1100. Kjo pritet të ndodhë brenda shtatë vitesh të hyrjes në fuqi të marrëveshjes. “Sot pas më pak se gjashtë muajsh bashkëpunimi kemi arritur të ndërmarrim hapa konkrete në një numër çështjesh ndërsa kemi shtruar rrugën përpara për më shumë përparim në të ardhmen. Së pari kemi hedhur hapa të rëndësishëm përpara për të shtuar sigurinë bërthamore dhe të ndalim përhapjen e armëve bërthamore. Kjo fillon me pakësimin e arsenaleve tona bërthamore, si dy fuqitë kryesore të botës. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të udhëheqin duke dhënë shembull dhe këtë po bëjmë sot këtu”, tha Presidenti amerikan Barak Obama. Marrëveshja e nënshkruar nga dy presidentët, Obama dhe Medvedev, instrukton negociatorët e të dy vendeve të finalizojnë një marrëveshje për zëvendësimin e traktatit për kufizimin e armëve strategjike, START që skadon në dhjetor të këtij viti. Marrëveshja për armët bërthamore ishte një ndër tetë dokumentet e nënshkruar nga dy udhëheqësit për një sërë çështjesh. Presidentët Obama dhe Medvedev do të ngrenë një komision të përbashkët për të bashkëpunuar për çështjet e energjisë, luftës kundër terrorizmit dhe trafikimit të drogës dhe do të rifillojnë, gjithashtu, bashkëpunimin ushtarak i cili u pezullua vitin e kaluar për shkak të konfliktit të armatosur me Rusisë dhe Gjeorgjisë. Bisedimet në ditën e tyre të parë të takimit zgjatën mbi pesë orë. Obama arriti një marrëveshje të rëndësishme mbi kalimin e armëve për në Afganistan nëpër territorin rus. “Ne duhet të jemi shembull, dhe shembull është ajo që po bëjmë sot”, tha ai. Medvedev e ka vlerësuar marrëveshjen e armëve një “kompromis të arsyeshëm”.
Por mbeten ende shumë pengesa mes dy vendeve. Rusia ka kërcënuar të prishë marrëveshjen nëse Shtetet e Bashkuara “tregojnë kufizime” mbi propozimin për të ndërtuar një sistem mbrojtjeje raketore në Evropën Qendrore. Pa mundur të gjejë zgjidhje për këtë çështje, Obama tha se bisedimet për të gjetur kompromis do të vazhdonin por këmbënguli se mbrojtja raketore ishte e ideuar për vende me regjime të ashpra si Irani, dhe nuk përfaqësojnë asnjë kërcënim për Rusinë. Por zyrtarët rusë nuk janë të sigurt për këtë. “Besoj se kjo është kundër Rusisë”, tha Sergei Mironov, një aleat politik i fuqishëm i Kryeministrit, Vladimir Putin.
Obama rrezikon të ashpërsojë mikpritjen duke dënuar qëndrimin e Rusisë në lidhje me integritetin e Gjeorgjisë dhe luftën në këtë vend. “Unë kam besim të plotë se integriteti territorial dhe sovraniteti i Gjeorgjisë duhet të respektohen”, tha Obama.
Analistët vlerësojnë takimin Obama-Medvedev
Publiku i gjerë dhe klasa politike mbarëbotërore e kanë vlerësuar takimin mes presidentëve Obama dhe Medvedev. Por ata që e kanë vlerësuar më shumë takimin dhe kryesisht marrëveshjen më të rëndësishme të tij, atë të armëve bërthamore, janë ekspertët e fushës. Roland Timerbayev, ish-ambasadori rus dhe kryetar i Qendrës për Studime Politike në Rusi, Moskë tha se, "Mendoj se marrëveshja për raketat bërthamore është një fillim i mirë. Ai u jep një impuls negociatorëve për të vazhduar më tej. Por rivendosja e marrëdhënieve do të jetë një proces i gjatë se nuk mund të bëhet në një ditë të vetme. Masa për Afganistanin është shumë e rëndësishme", tha ai. Ndërsa Kate Hudson, Kryetare e fushatës për çarmatim bërthamor, Britani, u shpreh se "Kjo është shumë pozitive dhe është arritur shumë shpejt. Kjo është një nisje shumë e mirë, rreth një e treta e arsenalit, duke përfshirë gjithashtu ofrimin e sistemeve, e cila është diçka që rusët ishin shumë të prirur të kenë të përfshirë. Natyrisht, duhet të shkojë më tej, por kjo është një nisje shumë e mirë", tha ajo duke shtuar se kjo është hera e parë që Rusia pajtohet me qëllimin e bashkëpunimeve globale, që është shumë e rëndësishme.