Superiorja me 16 skuadra, dështimi vjen prej Partizanit
Leonard Karaj
Një Superligë me 16 skuadra për sezonin e ri është thuajse utopike. Ndonëse u bënë peticione nga klubet e Kategorisë Superiore për ndryshimin e strukturës; ndonëse u fol gjatë në media për sa më sipër; ndonëse shumë specialistë futbolli konfirmuan rëndësinë e një kampionati me ekipe si Partizani e Elbasani në të; ndonëse shumica e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv thuajse ishin dakord që të “prishin” me duart e tyre rregullat që po ata i kishin miratuar në unanimitet, përsëri struktura e kampionatit për 2009-2010 nuk pritet të ndryshojë. Shkak nuk janë zërat kundër, përfshi këtu edhe njëshin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, por vetë i interesuari në vetë të parë, Partizani. Klubi i kuq nuk jep asnjë garanci financiare se do të mund të ngrejë dhe të vazhdojë kampionatin për sezonin e ri në Kategorinë e Parë dhe jo më në Superiore.
Dështimi
Ndryshimi i formulës së kampionatit nga 12 në 16 skuadra, edhe pse ka pasur si kundërshtar të flaktë kreun e FSHF-së, duket se ka qenë mëse i arritshëm. Një gjë të tillë e konfirmon për “Panorama Sport” një nga anëtarët më me influencë në Komitetin Ekzekutiv të qeverisë së futbollit shqiptar, i cili dëshiron të ruajë anonimatin. Kjo, sipas tij, pasi askush nuk dëshiron që të shikojë një Superligë pa skuadra si Partizani ose Elbasani, dy klube këto (sidomos i pari) me shumë tifozë në vendin tonë. Por problemi qëndron pikërisht te “demat e kuq”. Klubi i Bert Xhanit, në vështirësi financiare që prej një viti tashmë, nuk jep asnjë garanci për pjesëmarrjen sezonin e ri në Kategori të Parë e jo më në Superligë. Skuadra nuk është grumbulluar asnjëherë, e mbetur pa trajner dhe për më tepër pa asnjë futbollist me kontratë, pasi kreu i klubit nuk ka paguar asnjë nga rrogat e prapambetura. Në këtë gjendje askush në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së nuk dëshiron të votojë pro ndryshimit të formulës për të ripeshkuar në Superligë Partizanin, kur nuk dihet nëse po ky klub për të cilin bëhet gjithë kjo “luftë” do mund të marrë pjesë në kampionat apo jo.
Premtimet
Presidenti i Partizanit, Albert Xhani, ka premtuar disa herë gjatë muajit të fundit se do të zgjidhë problemet financiare në klubin e tij, por deri tani asgjë për t’u shënuar. Duke qenë se Partizani është i vetmi klub në vendin tonë i privatizuar dhe me financues të vetëm zotin Xhani, atëherë të ardhurat e këtij klubi as që mund të mendohet se mund të vijnë edhe nga rrugë të tjera shtetërore, sikundër bëhet, ndonëse në përpjesëtime të vogla, për klubet e tjera të Superligës nga bashkitë e qyteteve. Zgjidhja e problemit financiar te “demat e kuq” shihet me skepticizëm nga anëtarët e KE-së, ndaj një ndryshim i strukturës së kampionatit nuk do të kishte vlerë nëse sërish Partizani nuk do mund të përballonte financiarisht sezonin e ri 2009-2010.
Mbledhja
Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e tij të parë për këtë gjë, para zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, e shtyu për një datë më vonë propozimin e klubeve të Superiores për ndryshimin e strukturës së kampionatit për sezonin e ri. Arsyeja ishte marrja e mendimit të të gjitha klubeve për këtë ndryshim, ku natyrisht kishte edhe zëra kundër. Nga ana tjetër, një pjesë e Komitetit Ekzekutiv i mëshonte idesë se rregullorja përcakton që ndryshimet të bëhen për një sezon më pas dhe jo për atë në vazhdim. Gjithsesi, koha e lënë në dispozicion deri më 14 korrik, kur mendohet se do të bëhet kjo mbledhje, duket se ka sheshuar shumë gjëra dhe zërat kundër ndryshimit janë bërë edhe më të shumtë. Madje, sipas anëtarit të KE-së, një Superligë me 16 skuadra për 2009-2010 as që mund të imagjinohet me kushtet në të cilat ndodhet një skuadër si Partizani.