E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra e Alliasit, akuza rikthen dosjen në polici

 

Trazhgim Sokolaj

Dosja penale e vrasjes së trefishtë ndodhur në familjen e Azbi Gjonit në Allias katër ditë më parë, u rikthye dje nga Prokuroria në Polici “për hetime të mëtejshme”.Burime nga organi i akuzës në kryeqytet thanë se policia e Tiranës ka përcjellë dosjen në prokurori dhe sipas materialeve autor i ngjarjes ka qenë Petrit Zaimi, i cili gjeti edhe vetë vdekjen, pasi ekzekutoi vjehrrin e tij Azbi Gjoni, 79 vjeç, plagosi vjehrrën Nadire Gjoni, 69 vjeçe, vrau djalin Klevis Zaimi, 13 vjeç, e në fund qëlloi edhe veten. Në dosje ndodhej edhe procesverbali i dëshmisë së dhënë nga bashkëshortja e divorcuar e autorit të ngjarjes, me të cilën kishte marrë kontakt në rrugë telefonike, pasi ajo ndodhej në Greqi. Pikërisht për këtë shkak, duket se Prokuroria ka vendosur të mos mbyllë menjëherë dosjen, por ta kthejë mbrapsht atë në polici, në mënyrë që gruaja e ndarë e 40-vjeçarit Petrit Zaimi të merret në pyetje hollësisht lidhur me ngjarjen. Sipas të dhënave që zotëron Prokuroria, bashkëshortja e emigrantit është kthyer dje nga Greqia, ndaj hetuesit e policisë duhet të marrin kontakt të drejtpërdrejtë me të për ta marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Vendimi i Prokurorisë për të rimarrë në pyetje bashkëshorten e ndarë të autorit të vrasjes së trefishtë, sipas burimeve nga akuza erdhi pas dëshmive dhe provave që tregojnë se shkak për ngjarjen e rëndë ka qenë divorci mes Petrit Zaimit dhe Brunildës, ish-gruas së tij. Të afërmit e dy bashkëshortëve kanë dhënë deklarime për hetuesit, duke treguar se ata të dy u ndanë pasi nuk shkonin mirë me njëri-tjetrin pas martesës. Megjithatë sipas hetimeve, divorci ishte bërë shkak për konflikte e mosmarrëveshje të vazhdueshme mes Petrit Zaimit dhe vjehrrit të tij Azbi Gjoni, i cili gjeti vdekjen nga dhëndri i tij, në shtëpinë me qira ku banonte në Allias të Tiranës. Ngjarja deri më tani është klasifikuar si vrasje me paramendim në rrethana të cilësuara ndaj më shumë se dy personave.
Dëshmia e gruas
Divorci mes emigrantit Petrit Zaimi dhe bashkëshortes së tij ka ndodhur disa muaj më parë, ndërsa të premten, babai i Brunildës gjeti vdekjen pasi u qëllua me pistoletë në shtëpinë e tij nga dhëndri 40-vjeçar. Sipas Prokurorisë, është e paqartë përse incidenti ka ndodhur të shtunën, derisa bashkëshortët ishin ndarë kohë më parë. Ajo çka është konfirmuar nga deklarimet e dëshmitarëve, është se Petrit Zaimi ishte kthyer nga Greqia një javë më parë. Nuk është e qartë nëse ai kishte ardhur nga emigracioni për një takim me vjehrrin e tij Azbi Gjoni. Për disa ditë emigranti Petrit Zaimi ka qëndruar në shtëpinë e tij në jug të vendit. Gjatë kësaj kohe mësohet se ai ka pasur kontakte me familjen e ish-gruas. Pikërisht gjatë këtyre kontakteve është vendosur të zhvillohej një takim mes vjehrrit dhe dhëndrit. Ky i fundit ka marrë edhe djalin e tij Klevis Zaimi, vetëm 13 vjeç dhe duke mbajtur me vete një pistoletë pa leje ka mbërritur në Tiranë. Pa kaluar shumë kohë nga çasti kur kishte hyrë në shtëpinë e vjehrrit të tij Azbi Gjoni, emigranti ka qëlluar me armë 79-vjeçarin, duke derdhur plumba më pas edhe mbi vjehrrën Nadire Gjoni, e cila u plagos rëndë. Plumbat prekën edhe djalin 13-vjeçar Klevis Zaimi, i cili gjeti vdekjen rrugës për në spital. Petrit Zaimi në fund të masakrës qëlloi edhe veten me plumbin që i kishte mbetur.

Bashkëshortja e autorit kthehet nga Greqia

TIRANE – Gruaja e ndarë e Petrit Zaimit mësohet se është kthyer ditën e djeshme nga Greqia. Brunilda Gjoni mësohet se banonte prej disa kohësh në Greqi, ku qëndronte edhe bashkëshorti i saj i divorcuar, i cili mbante edhe djalin 13-vjeçar Klevis Zaimi, të cilin e vrau pa dashje të premten në Tiranë. Sipas hetuesve besohet se mes dy ish-bashkëshortëve mund të ketë pasur mosmarrëveshje edhe pas ndarjes, pasi jetonin të dy në Greqi. Prokuroria tha se i është kërkuar policisë të marrë në pyetje ish-gruan e Petrit Zaimit në mënyrë të hollësishme në lidhje me ngjarjen. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes, oficerët e angazhuar me zbardhjen e vrasjes së trefishtë kanë marrë kontakt që ditën e djeshme me Brunilda Gjonin, të cilës i është kërkuar të japë deklarime në lidhje me ngjarjen e rëndë ku humbi jetën babai, djali dhe ish-bashkëshorti i saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›