Laborator heroine e kokaine, 5 shqiptarë arrestohen në Athinë
Athinë – Shtatë persona të huaj, mes tyre pesë shqiptarë dhe dy iranianë, u arrestuan nga policia greke dy ditët e fundit me akuzën e trafikut të sasive të mëdha të heroinës dhe kokainës. Burimet e policisë thonë se mes të arrestuarve ndodhet një vajzë 16-vjeçare, roli i të cilës në këtë bandë është duke u hetuar. Gjatë aksionit policia tha se gjeti dhe sekuestroi një laborator heroine që ishte ngritur në një apartament në Atika, zona ku shpërndahej droga e trafikuar nga të arrestuarit. Hetuesit konfirmuan se gjetën në këtë shtëpi edhe disa pajisje të një laboratori të tërë si dhe 5 kg e 635 gramë heroinë, 140 gramë kokainë, 3.800 euro, tri peshore precize dhe 10 telefona celularë. Laboratori në fjalë mësohet se shërbente për ndarjen, presimin dhe paketimin e ngarkesave dhe dozave të heroinës, kokainës dhe marijuanës para se ajo të hidhej në qarkullim gjatë natës në lagjet e ndryshme të qytetit. Gjatë aksionit policia sekuestroi edhe një makinë, e cila sipas hetuesve është përdorur nga grupi kriminal për të shitur dhe dorëzuar drogën te klientët e këtij grupi të trafikut dhe shpërndarjes së drogës. Sipas policisë, grupi kriminal llogaritet se ka shpërndarë rreth 50 kg heroinë në muaj. Shefi i policisë së Atikës, Janis Dikopoulos, citohet nga agjencia “ANA” duke thënë se anëtarët e bandës u arrestuan të premten gjatë natës me akuzën për trafikimin e sasive të mëdha të heroinës dhe kokainës. Policia greke është duke hetuar rrugët nga të cilat mbërrinte në Atika sasia e drogës, e cila më pas shpërndahej në lagjet e ndryshme të qytetit. Hetuesit janë duke verifikuar për pasurinë e grumbulluar nga të arrestuarit gjatë aktivitetit të tyre kriminal. Policia gjithashtu konfirmoi se po heton për persona të tjerë të implikuar në këtë aktivitet të paligjshëm. I pari që është zbuluar ka qenë njëri prej anëtarëve të grupit, ndërsa gjatë ndjekjes së tij policia zbuloi edhe anëtarë të tjerë. Sipas të dhënave të deritanishme të policisë greke, grupi kriminal besohet se kishte kohë që vepronte në fushën e trafikimit të narkotikëve.