Rregulli i ri për të huajt
Rregullorja e Federatës pritet që të pësojë disa ndryshime të rëndësishme sezonin e ardhshëm. Këtë e ka pohuar përgjegjësi i sektorit të garave, Ilir Shulku, i cili ka thënë se do të propozojë ndryshimin e disa neneve të rregullores. “Personalisht mendoj se duhet riparë rregulli i aktivizimit të lojtarëve në Kupën e Shqipërisë. Do të propozoj një ndryshim në lidhje me këtë, por është Komiteti Ekzekutiv ai që do ta vendosë nëse miratohet ose jo”, ka deklaruar Shulku. Një tjetër pikë e rëndësishme që mund të pësojë ndryshime është edhe rregulli për lojtarët e huaj. Ndryshe nga vitet e tjera, kur një pjesë e tyre, megjithëse ishin të pa pajisur me lejen e punës në Shqipëri, vazhdonin të luanin pa probleme në kampionat, kjo nuk do të lejohet më gjatë sezonit të ardhshëm. “Do t’i propozoj një tjetër ndryshim KEsë, – ka shtuar Shulku. – Klubet që do të kenë në ekipet e tyre futbollistë të huaj, bashkë me dokumentacionin e federimit, duket të paraqesin në federatë edhe lejen e qëndrimit për një vit. Çdo klub ka të drejtë të federojë lojtarë të huaj, por nuk do të ketë mundësi që t’i aktivizojë ata në rast se nuk ka paraqitur lejen e punës” J. H.
Propozimet
Të merret parasysh goli në fushë kundërshtare edhe në kampionat, për renditjen e skuadrave me pikë të barabarta.
Lojtarët e huaj duhet të pajisen me leje pune 1-vjeçare, në rast të kundërt mund të federohen, por s’mund të aktivizohen.
Të ndryshojë rregulli i aktivizimit të lojtarëve në Kupë. Një lojtar të ketë mundësi të luajë në një ekip në pjesën e dytë të sezonit edhe nëse është aktivizuar në një skuadër tjetër.