E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni Evropian: Liberalizimi i vizave, vetëm për banorët e Serbisë

 

Komisioni Evropian ka vendosur që liberalizimi i vizave me Serbinë të mos vlejë për asnjë qytetar të Kosovës, edhe pse mund të disponojë pasaportë biometrike të Republikës së Serbisë. Serbia tentoi të joshte qytetarët e Kosovës me ofertën për të siguruar pasaporta biometrike, që pas liberalizimit të vizave për të, të përfitonin edhe qytetarë kosovarë. Duke folur në një deklaratë për shtyp gjatë fazës përgatitore të pasaportave të reja, Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç u shpreh se pasaportat do të jenë të aplikueshme edhe për etninë shqiptare që jetojnë në Kosovë. Por Komisioni Evropian vendosi se liberalizimi i vizave do të vlejë vetëm për ata qytetarë që kanë adresë banimi në territorin e Serbisë, të cilësdo etnie qofshin. Autoritetet në Kosovë e kanë përshëndetur këtë vendim. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, e ka vlerësuar si të drejtë vendimin e Komisionit Evropian që pasaportat biometrike të Republikës së Serbisë të mos vlejnë për asnjë qytetar të Kosovës, pa vizën përkatëse, pavarësisht përkatësisë së tij etnike. “Është një vendim i drejtë i Komisionit Evropian. E ka ndarë në kuptimin politik edhe në kuptimin juridik, qytetarët e Kosovës mos të gjykohen në Serbi, natyrisht që ne presim që Komisioni Evropian në raportin me procesin të bëjë të qartë konstatimin e fizibilitetit, por edhe liberalizimin e vizave edhe për Kosovën”, tha Kuçi. Kosovarë të shumtë kanë shfrytëzuar rastin që të marrin pasaporta biometrike të Serbisë pas paralajmërimeve që Serbisë t’i hiqet regjimi i vizave për në BE në fund të këtij viti. Mirëpo, pas shumë debatesh të Komisionit Evropian lidhur me këtë çështje, tani është marrë vendimi që asnjë qytetar i Kosovës, pavarësisht nacionalitetit të tij shqiptar, serb apo rom, nuk do t’i vlejë pasaporta biometrike serbe për të udhëtuar pa viza në BE. Sipas RTK, deri më tani 1 mijë e 500 kosovarëve kanë marrë pasaporta të tilla, ndërsa 7 mijë e 647 kanë aplikuar për këto pasaporta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›