Greqi, shqiptari me armë e laborator droge
GREQI - Një shqiptar ka rënë në pranga katër ditë më parë në Greqi, pasi i janë kapur një sasi e konsiderueshme armësh dhe pajisjet e një laboratori droge. Sipas mediave vendase, operacioni policor është kryer natën pas të premtes në AKM Smyrni, ndërsa nuk bëhet i ditur identiteti i shqiptarit por vetëm mosha e tij, 30 vjeç. Burime policore, të cilave iu janë referuar mediat greke, pohojnë se gjatë arrestimit në banesën e tij, veç pajisjeve të laboratorit të narkotikëve janë gjetur gjithashtu dhe konfiskuar dy automatikë "Kallashnikov" së bashku me karakatorët e fishekëve, një pushkë automatike "MP5" së bashku me mbajtësen e municioneve, një revolver, qindra plumba të kalibrave të ndryshme, dhe rreth 5 kilogram eksplozivë të ndryshëm. Policia greke pas kësaj pohon se ka nisur hetimet për të zbardhur origjinën e eksplozivëve dhe destinacionin e tyre. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme i arrestuari është marrë në pyetje nga prokuroria, ndërsa pritet të vendoset për të masa e sigurimit burg paraprak deri në përfundim të hetimeve. f.m.