Admir Tafili: Duan të më vrasin familjen. Tani lirohet vëllai im dhe Pjetrushi duhet të ketë frikë
Është një nga ato histori që ka tronditur Shkodrën prej një dekade. Gjithçka nis në gusht të vitit 2000 kur policia e Shkodrës organizon një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit, babai i Admir dhe Genci Tafilit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, gjeti vdekjen drejtori i Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari dhe i kërkuari Bahri Tafili. Genci Tafili u dënua me 25 vite burg për vrasjen e Zylyftarit.
Por historia nuk u mbyll këtu. Admir Tafili akuzoi Prelë Pjetrushin, shef i krimeve, se kishte vrarë babain e tyre në atë operacion. Për këtë arsye Admiri organizoi një atentat ndaj tij, por pa mundur ta vrasë. Për këtë krim Admiri u dënua me 20 vite burg.
Në tetor të vitit 2010, dy vëllezërit Genci dhe Admir Tafili dolën nga burgu me leje për të vizituar nënën e tyre, Kimeten. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës lehtësoi daljen e tyre nga qelia. Dhe gjëma ndodhi. Admir Tafili qëlloi për vdekje dy vëllezërit e Prelë Pjetrushit, Gjovalinin dhe Nikën. Më pas u dorëzua në polici.
Gjykata e ka dënuar me burgim të përjetshëm. Vetë Admiri thotë për GSH se do të apelojë, duke e quajtur dënimin të padrejtë. Ai thotë se nuk ka dalë dot përpara trupës gjykuese për shkak se e mbanin të lidhur në duar e këmbë.
Admiri thotë se familjen e ka në Greqi dhe ka marrë informacione se Pjetrushët po interesohen për familjen e ti. Ata kërkojnë të më prekin aty ku më dhemb më shumë, thotë ai.
Megjithatë Admiri e ka një kundërpërgjigje. Brenda dy vitesh lirohet vëllai i dënuar në vitin 2000 me 25 vite burg (?!). Tani frikë duhet të ketë Pjetrushi, thotë Admiri.
E kështu zinxhiri i vrasjeve nuk do këputet.