Arben Imami: Sulmi i Edi Ramës, në funksion të biznesit serb
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, është përgjigjur ndaj akuzave të rënda të kreut të opozitës se korrupsioni i tij ka shqetësuar NATO-n dhe se po përdor mjetet e ushtrisë për të përgjuar opozitën. Imami thotë se ky sum i Ramës bëhet për interes të biznesit serb. Kurse për akuzën për përgjimin e opozitës, Imami thotë se kjo tregon mentalitetin e ish- Partisë së Punës.
Fushata e disa deputetëve socialistë kundër Ministrisë së Mbrojtjes u tregua me deklarimin e fundit të zotit Rama se është e organizuar dhe dirigjuar nga ana e tij. Lidhur me trafikun e sapozbuluar të armëve, nuk është zbuluar dhe as nuk do të zbulohet. Shqipëria, një vend anëtar i NATO, nuk ka trafikuar dhe nuk trafikon armë. Sulmi që i bëhet tregtisë së ligjshme dhe transparente të armëve nga Republika e Shqipërisë është në funksion të interesave të biznesit serb. Zoti Rama nuk mund të binte në një kurth kaq të lehtë, për më tepër që ai është kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend. Ky është amatorizëm.
Lidhur me akuzën e dytë të ditës së sotme për përgjime me natyrë politike, e sigurojmë opinionin publik se mjetet e ushtrisë, të çfarëdolloji qofshin, nuk përdoren për qëllime politike. Akuzat e zotit Rama ngrihen mbi pretendime të informacioni të marrë brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo është e turpshme, megjithëse fatkeqësisht opinioni publik është dëshmitar i dokumenteve e shkresave zyrtare që tundeshin në mes të sallës së Parlamentit nga deputetë socialistë, dokumente këto që mund të ishin siguruar në rrugë ligjore. Kjo tregon mentalitetin e Partisë Socialiste, ish Partia e Punës, e cila në traditën e saj të shantazhit shpik bashkëpunëtor politikë në Ministrinë e Mbrojtjes, thuhet në deklaratën e Imamit.