Admirali Fitzgerald: ”KFOR-i do të qëndrojë në Kosovën e pavarur”
Komandanti i NATO-s për SHBA-të jep garanci për sigurinë. Berisha: ”E rëndë që Koshtunica u ra sirenave të nacionalizimit”
Erald Kapri
Komandanti i Forcave të Armatosura në NATO në Komandën e Forcave të Bashkuara në Napoli, Admirali Mark Fitzgerald, dha sigurinë që misioni i KFOR-it do të qëndrojë në Kosovë për të garantuar sigurinë e shtetit më të ri të botës. Gjatë vizitës së djeshme në Shqipëri, admiral Fitzgerald theksoi se mandati i KFOR-it në Kosovë nuk ka përcaktim kohor. Së bashku me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, përfaqësuesi më i lartë ushtarak i SHBA-ve në Europë dënoi ashpër dhunën në Beograd. “Në radhë të parë, mandati i KFOR-it në Kosovë është për të ruajtur sigurinë dhe për të krijuar një mjedis të sigurt në atë vend. Kjo do të thotë që ne do të sigurojmë që Forcat tona të Armatosura të lëvizin lirshëm në të gjithë vendin dhe se do t’i trajtojmë njerëzit në mënyrë të barabartë dhe të paanshme. Ky ka qenë dhe do të jetë mandati i KFOR-it dhe besoj se këtë ne e bëjmë shumë mirë. KFOR-i ka forcat e duhura në Kosovë që të mbrojë çdo qytetar”, - tha gjatë konferencës për shtyp admiral Fitzgerald.
Dënimi i dhunës
Kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe admirali Mark Fitzgerald kanë komentuar ngjarjet në Beograd. “Ne i konsiderojmë protestat në Beograd si destabilizuese për rajonin. Ne duam të sigurohemi që udhëheqësit të atij vendi ta marrin parasysh këtë fakt, t’i tërheqin njerëzit e t’i vendosin nën kontroll. Është e drejta e qytetarëve që të protestojnë në një vend demokratik, por nuk është e drejta e tyre që të marrin armët”, - tha admirali Fitzgerald. Në të njëjtën linjë foli edhe kryeministri Berisha, i cili shtoi se rikujtimi i së shkuarës nacionaliste ka kthyer kohën millosheviçiane. “Ngjarjet e djeshme në Beograd janë të dënueshme. Të sulmosh ambasadat e vendeve të lira, kjo do të thotë të rikujtosh të shkuarën millosheviçiane. Dua të theksoj se në ngjarjet e djeshme në Beograd kishte disa realitete. Në tërësi, populli serb nuk iu përgjigj thirrjes dhe kjo duhet vlerësuar. Me gjithë mobilizimin e të gjitha mjeteve të transportit të Serbisë, shumica e serbëve dëshmuan dje se nuk e përqafonin protestën. Së dyti, ishte jashtëzakonisht e rëndë që kryeministri i vendit thërret mitingjeve për t’u rënë sirenave të nacionalizimit. Ishte edhe më e shëmtuar që grupe huliganësh, gangsterësh dhe njerëz të papërgjegjshëm u vunë zjarrin ndërtesave. Kjo është një rrugë që të çon drejt së shkuarës dhe jo drejt së ardhmes. Unë besoj se ky qëndrim është i kundërt me interesin e kombit serb”, - tha Berisha. Përsa u përket incidenteve në kufirin e Kosovës, admirali Fitzgerald tha se situata është nën kontroll. “Incidenti në kufirin me Kosovën ishte rezultat i disa njerëzve që futën armë e protestuan kur dyert e doganave ishin të hapura për mbledhjen e taksave. Por Kombet e Bashkuara, të mbështetura edhe nga KFOR-i, kanë ristabilizuar situatën në dogana dhe janë duke ruajtur kufirin midis Kosovës dhe Serbisë”, - përfundoi Fitzgerald.
Shqipëria në NATO?
Kryeministri Berisha, gjatë takimit të tij me admiralin Fitzgerald, nuk ka fshehur dëshirën e madhe për t’u anëtarësuar në NATO, duke i bërë të ditur përfaqësuesit ushtarak se Shqipëria është në pritje në ftesës. “Ne presim ftesën për anëtarësim në NATO, si një nga aktet më madhore në historinë tonë. Në 94 për qind të tyre, shqiptarët e mbështesin këtë anëtarësim, sepse ata shohin tek Aleanca e Atlantikut të Veriut të ardhmen më të shkëlqyer të sigurisë së tyre”, - tha me tone kërkuese Berisha. Admirali Fitzgerald u shpreh se ka mbetur i kënaqur nga reforma në Ushtrinë Shqiptare. “Suksesi i Forcave të Armatosura është rezultat i një pune shumë të madhe që kryhet nga shumë njerëz. Është shumë e vështirë të transformosh një ushtri prej 350 mijë ushtarësh në 15 mijë ushtarë profesionistë, por udhëheqja e këtij vendi e ka bërë këtë shumë mirë”, - tha ai. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, admirali Fitzgerald është takuar me figurat më të larta të vendit.
23 Shkurt 2008