Dade në Asamblenë e OSBE-së: “Pse e meriton njohjen ndërkombëtare pavarësia e Kosovës”
Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, e ka cilësuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës si mbylljen e një faze historikisht konfliktuale në hapësirën e Ish-Jugosllavisë. Ish-ministrja e Jashtme shqiptare, gjatë fjalës së saj në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së në Vjenë, në debatin për Kosovën, theksoi domosdoshmërinë e njohjes nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare së pavarësisë së Kosovës. Njohja e menjëhershme e një numri të madh demokracish të fuqishme është një sinjal i qartë i përkrahjes që shteti më i ri në Europë gëzon sot. Edhe misioni i fundit i përfaqësuesit special për politikën e jashtme të BE-së, Havier Solana, në Prishtinë, vuri në dukje angazhimin e Europës së Bashkuar për të hapur një faqe të bashkëpunimi me Kosovën e pavarur. Kosova është jo vetëm një rast sui generis në skenën e sotme ndërkombëtare, por ajo është para së gjithash një sfidë europiane. Misioni EULEX, me 1800 ekspertët dhe angazhimin e konsiderueshëm financiar, është prova e angazhimit afatgjatë të Bashkimit Europian për të ndërtuar në Kosovë një shtet që do të fshijë kujtimet e hidhura që e mbajnë peng të shkuarën dhe të sotmen e qytetarëve të Kosovës. Besoj se organizata jonë do të luajë rolin që i takon në këtë proces të vështirë konsolidimi”, - tha Dade. Ndaj Kosovës vërehet sot një qëndrim jo i unifikuar i bashkësisë ndërkombëtare. Kemi vërejtur diferencat që disa vende anëtare kanë shprehur ndaj këtij hapi të palës kosovare. Dëshiroj të vë në dukje se lindja e një shteti të ri në Europën e sotme është një eveniment që vë në lëvizje dhe sposton shumë interesa dhe pozicione që lidhen me koordinatat themelore të diplomacisë kontinentale, por edhe ato globale. Por kur një shtet i ri lind në Ballkan, ky eveniment merr një peshë edhe më të madhe, për shkak të rrethanave, precedentëve, historisë së djeshme dhe të sotme. Kosova po lind si shtet mbi një terren tradicionalisht eksploziv dhe problematik. Kjo është një sfidë e vështirë, komplekse, por jo e pamundur. Kosova ka sot përballë bashkësisë ndërkombëtare, miqve, partnerëve, fqinjëve dhe vendeve të tjera, arsye mëse të mjaftueshme për ta mbrojtur dhe afirmuar dëshirën e saj legjitime për sovranitet shtetëror”, - u shpreh ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë dhe deputetja e Partisë Socialiste.
23 Shkurt 2008