Thaçi: “Serbia, si në kohën e Millosheviçit”
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur se dhuna e shpërthyer në Beograd të kujton kohën e Sllobodan Millosheviçit.
Sipas tij, pamjet e sulmeve të protestuesve ndaj Ambasadës Amerikane në Beograd ishin të tmerrshme. Thaçi tha se dhuna në Beograd është diçka që i përket së kaluarës. “Nuk ishte vetëm reagim ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, por gjithashtu edhe ndaj botës demokratike”, - u shpreh kryeministri Hashim Thaçi. Ai ka shfaqur bindjen se forcat e NATO-s dhe njohja e Kosovës nga fuqitë europiane dhe Shtetet e Bashkuara do të mundësojnë sigurinë në Kosovë. Ndërkohë, kryeministri Vojislav Koshtunica ka shprehur vlerësimin e tij për protestat e fuqishme të popullsisë serbe në Beograd. Sipas tij, Serbia në tubimin madhështor ka thënë se çfarë mendon për Kosovën dhe për dhunën brutale e cila ushtrohet ndaj Serbisë. “Para së gjithash, rinia serbe porositi se Serbia është për të drejtën, për drejtësinë dhe lirinë dhe se e hedh poshtë politikën e forcës të vendeve perëndimore. Duke mbrojtur Kosovën, Serbia tregon se fuqishëm mbron vlerat më të larta mbi të cilat bazohet bota demokratike. Kjo do të thotë se Kosova është Serbi”, - është shprehur Koshtunica. Ai ka shtuar se fatkeqësia e vetme ishte se gjatë kësaj ngjarjeje të rëndësishme është humbur edhe një jetë njeriu. “Dhuna dhe shkatërrimet i shkaktojnë dëm të drejtpërdrejtë luftës sonë për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore”, - tha kryeministri serb.
23 Shkurt 2008