E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-të tërheqin një pjesë të personelit të Ambasadës në Serbi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të tërheqin përkohësisht një pjesë të personelit të Ambasadës në Beograd. Ky veprim vjen pas djegies së Ambasadës Amerikane në Beograd dhe pasigurisë së personelit atje. Në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se sulmi nuk paraqet fytyrën e vërtetë të Serbisë dhe Rusia nuk është përgjegjëse për dhunën e shkaktuar në Beograd. Pas sulmit dhe djegies së Ambasadës Amerikane në Beograd kanë reaguar autoritetet më të larta amerikane dhe europiane. Departamenti i Shtetit Amerikan ka akuzuar qeverinë serbe për mosmbrojtje të Ambasadës dhe punonjësve duke thënë se nervozizmi i serbëve për pavarësinë e Kosovës nuk justifikon sulmet dhe nxitjet antiamerikane në Serbi. Trazirat e ndodhura në Serbi janë akuzuar edhe nga zyrtarë të Bashkimit Europian. Shefi i diplomacisë europiane, Havier Solana, ka kërkuar nga Serbia mbrojtjen e ambasadave të huaja duke thënë se sulmet ndaj ambasadave rrezikojnë afrimin e Serbisë me BE-në. Solana bëri të ditur se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mes Serbisë dhe BE-së do të shtyhet derisa situata në këtë vend të qetësohet. Edhe Gjermania i ka konsideruar këto akte përgjegjëse për një dëmtim të mundshëm të marrëdhënieve mes Serbisë dhe BE-së. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Thomas Steng, i ka konsideruar forcat policore serbe përgjegjëse për ruajtjen e rendit kur protestuesit kanë vënë zjarrin në Ambasadën Amerikane. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Sean Mekormak, tha gjatë një deklarate për shtyp se janë dërguar trupa të mjaftueshme policore për të zmbrapsur turmën por vetëm pasi ishte shkelur territori i ambasadës. Ai bëri të ditur se nënsekretari i Shtetit për Marrëdhëniet Politike, Nikolas Bërns, ka paralajmëruar kryeministrin serb Vojisllav Koshtunica dhe ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiç, për përgjegjësinë që do të binte mbi ta nëse këto sulme do të vazhdonin. Ndërkohë, veprimet ndaj Ambasadës Amerikane janë dënuar edhe nga Këshilli i Sigurimit dhe Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Mihail Kaminin, ka hedhur poshtë pohimet e ish-ambasadorit amerikan në Kombet e Bashkuara, Riçard Holbruk, se pas trazirave në Beograd qëndron Rusia.

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›